MENU
klinika

Totti: S’je tifoz nëse nuk vuan

“Një Botëror pa Italinë, fatkeqësi për të gjithë”

06.12.2021 - 16:39

Sponsori i Romës “Digitalbits” prezantoi këtë mëngjes Francesco Totti si ambasadorin e ri global. Ngjarja e organizuar nga kompania e kriptomonedhave u zhvillua në zemër të kryeqytetit, në “La Lanterna” në “Via Tomacelli”.

Francesco Totti shpenzoi disa fjalë edhe për situatën e Italisë, e cila rrezikon kualifikimin në Botërorin 2022: “Dy-tre muaj më parë ishim këtu për të festuar Kampionatin Evropian, po flisnim për një ekip të nivelit të lartë. Faleminderit Mancinit dhe djemve që na bënë të ngjitemi në majat e Europës!

Tani kemi ‘play-off’-in e Botërorit dhe jo gjithmonë kjo na tregon për mirë. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar dhe të brohorasim e mbështesim kombëtaren. Një Botëror pa Italinë do të ishte një fatkeqësi për të gjithë. Ne duam të kthehemi përsëri në majat e botës.”

Gjatë prezantimit, Totti ndërhyri edhe për të folur mbi angazhimin e tij të ri me sponsorin: “DigitalBits më kërkoi dhe nuk prita asnjë sekondë për të thënë po. Roma nuk ka asnjë lidhje me këtë. Ato janë sponsor i Romës, por Totti, DigitalBits dhe Roma nuk janë në një lidhje. Kjo nuk është një mënyrë për t’u kthyer te Roma në të ardhmen”.

“Partneriteti me Francesco është krejtësisht i ndarë nga ai që kemi me Romën”, – shtoi Al Burgio, themeluesi i DigitalBits. Më pas, Totti foli për një rikthim te verdhekuqtë:

“Nuk e di se çfarë më pret në të ardhmen. Me siguri përmes DigitaBits do të kem më shumë mundësi të flas me Romën, por ato janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Mendoj për këtë partneritet që është i rëndësishëm për mua dhe për kompaninë. Menjëherë pata ndjeshmëri. Për sa i përket Romës, gjithçka mund të ndodhë”.

totti

Ish-kapiteni i Romës komentoi edhe sezonin e verdhekuqve: “Për të fituar duhen lojtarë, një trajner i rëndësishëm dhe një klub që ndihmon dhe i bën të gjithë të ndihen si në shtëpinë e tyre. Por, gjëja kryesore janë lojtarët. Nuk dua të përbuz skuadrën që kemi, por nuk ka kampionë. Ka lojtarë që mund të bëjnë mirë në një kontekst ekipor.

Si tifoz them që nuk po kalojmë një moment të madh, por nuk jeni tifoz i Romës nëse nuk vuani. Jemi mësuar me këto vite të luhatshme. Jam i sigurt se trajneri dhe klubi duan t’i bëjnë tifozët të buzëqeshin sërish. Roma meriton faza më të rëndësishme, le t’i japim kohë. Shpresoj të kthehemi në arenën ndërkombëtare dhe të bëjmë figurë të mira.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN