MENU
klinika

Rama me përfaqësues të KOKSH

Qeveria jep 5 mln dollarë për sportin, mungon FSHF

23.12.2021 - 19:30

Qeveria Shqipëria kthen vështrimin nga sporti, këtë herë me një tjetër “bonus” shumë të rëndësishëm, jetik për një pjesë të madhe të federatave.

Pak ditë më parë, ndryshoi edhe ai ligj absurd që shpërblente sportistët vetëm për arritjet në dygarësh, me ligjin i ri që ka hyrë në fuqi, Briken Calja dhe çdo sportist tjetër do të shpërblehet në bazë të medaljeve.

Ky ishte vetëm hapi i radhës, pasi Kryeministri Edi Rama mblodhi të gjithë përfaqësuesit e Federatave, pjesë e Komitetit Olimpik, ku bëri publik se duke nisur nga viti i ardhshëm, vetëm për sportin dhe lëvizjen e re që do të krijohet, lëvizja për sportin, nga buxheti i shtetit do të akordohet një shumë prej 5 milionë dollarë:

“Do kemi program për lëvizjen sportive në shkolla dhe universitete duke nisur që nga viti i ardhshëm. Buxheti është 5 milionë dollarë. Është koha për të krijuar skuadra sportive me kalendar kampionatesh në nivel lokal dhe kombëtar. Kampionate që do të jenë baza për evidentimin e talenteve.

Në këtë proces do të përfshihet edhe Universiteti i Sporteve. Fillimisht do të programi konsiston për lojërat me dorë (basketboll dhe volejboll) për t’u shtrirë në tej në të gjitha sportet. Kërkojmë bashkëpunim me federata dhe me KOKSH-in”, –  tha ndër të tjera Rama në shpalosjen e programit të tij.

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli vlerësoi qeverinë për suportin e dhënë ndërsa u shpreh i bindur se ky është një investim i shumë pritur dhe një projekt pilot që do të nis në janar me dy federata, atë të Basketbollit dhe Volejbollit.

Në këtë mbledhje të organizuar në Kryeministri, nuk ishin të pranishëm përfaqësueses të Federatës Shqiptare të Futbollit. Zyra për shtyp pranë FSHF-së saktësoi se nuk kishin asnjë ftesë nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar për këtë aktivitet.