Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar 3.6 vite burg për gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha, e cila akuzohet se së bashku me grupin që vepronte nxirrte të dënuar nga burgu me raporte false, raporton gazetari i “ABC”, Ermal Vija.
Si u zbulua?
Pas përgjimeve të kryera dhe sigurimit të provave SPAK e akuzoi Hoxhën për veprën “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
Një ndër bashkëpunëtorët e Hoxhës për nxjerrjen e të dënuarve nga burgu përmes raporteve false dhe vendimeve të pambështetura në ligj, sipas SPAK është edhe avokati Aldo Tabaku. Ky i fundit sipas SPAK bënte rolin e sekserit mes familjarëve të të dënuarve dhe gjyqtares Hoxha me qëllim lirimin e tyre.
Pjesë e dosjes së SPAK është edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuci, e cila akuzohet se përgatiste dosjet e gjykimit në atë mënyrë që të dënuarit që kishin paguar të dilnin pikërisht para gjyqtares Hoxha për gjykim.
Prokuroria e “gozhdoi” dosjen me një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale që implikojnë të hetuarit edhe pse vetë te akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues.
Si nisi procedura?
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkelejda Hoxha. Hetimi i ILD ndaj Hoxhës, nisi si rezultat i ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë për lirimin e shumë personave të dënuar me burg për jetë, mes tyre dhe Endrit Doklen, ish-numri dy i bandës së Durrësit.
Sipas ILD kanë qenë disa vendime të marra nga Hoxha në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019 të cilët sipas hetimeve kanë rezultuar me shkelje. Në qershor të vitit të kaluar, emri i Hoxhës doli sërish në skenë pas vrasjes së Hekuran Billës në zonën e Komunës së Parisit.
Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një vrasje të ndodhur në Angli por 10 vite para përfundimit të dënimit, Hoxha i fali 5 vite Billës, ndërkohë që 5 vitet e fundit i konvertoi në shërbim prove, duke e nxjerrë atë menjëherë nga qelia.