MENU
klinika

Njeri modern, autor i pavdekshëm

Vargu, tregimi, drama… absurdi i Pirandelos

10.12.2021 - 19:46

       “Asgjë nuk është më e komplikuar se sinqeriteti”

        Dramaturgu, romancieri, mjeshtri i tregimit të shkurtër dhe poeti i madh italian, lindi më 28 qershor 1867 dhe vdiq më 10 dhjetor 1936. Shkrimtari i mirënjohur u nderua me çmimin “Nobel” për letërsinë në vitin 1934. Shumë prej veprave të tij kanë hyrë në histori, ndër të cilat është e pamundur të mos kujtojmë: “I ndjeri Matia Paskal”, “Një, askush dhe njëqindmijë”, apo vëllimet e shumta me tregime, ndër të tjera edhe “Lakuriqi i natës”, “Shtëpia e Granelas”, “Tragjedia e një personazhi” etj.

Pirandelo, shkrimtari i famshëm italian i shekullit XX, që, siç ndodhi me Makiavelin, u dha shkas lindjes dhe përdorimit të disa termave që rrjedhin nga vetë emri Pirandelo. Për shembull, termi “Pirandelo”, tregon një ngjarje ose një situatë paradoksale, ashtu siç ndodh në romanet e shkrimtarit sicilian. Krahas punës si romancier, Pirandelo konsiderohet njëherazi një nga novatorët më të mëdhenj të teatrit, ku përmendim veçanërisht: “Gjashtë personazhe në kërkim të një autori”, një nga pjesët më revolucionare në fushën teatrore. Në reflektimin e Luigji Pirandelos mund të gjurmohen dy elementë mbizotërues: humori dhe kriza e unit, terma të cilët janë pjesë e veprave të shumta të autorit. Humorizmi i Pirandelos lind nga një reflektim i thellë, që çon në një ndjenjë mirëkuptimi dhe dhembshurie. Prandaj, me anë të humorit, autori zë e heton sensin e përbashkët të brishtësisë që karakterizon thuajse çdo qenie njerëzore, duke e bërë çdonjërin të mëshirojë dobësitë e fqinjëve që shpesh mbivendosen me të tyret. Nga ana tjetër, kriza e unit konsiston në rikuperimin e identitetit përmes çmendurisë, e parë si e vetmja mundësi për të rifituar vetveten. Kësisoj, njeriu mund të heqë maskën, duke jetuar lirisht ideologjinë e brendshme. Krijimtaria e Pirandelos përfshin një gamë të gjerë me romane, novela, poezi, tregime të shkurtra dhe pjesë teatrale, ku personazhet janë viktima të pasigurisë dhe vetëdyshimit, të kombinuara me një zotësi të madhe për të dashuruar. Ata e jetojnë jetën si një pasqyrë, duke pasur nga pas një maskë realiteti për një lumturi bishtnuese dhe të shtirur. “Ne jemi si merimangat e gjora, që, për të jetuar, duhet të thurin rrjetën e tyre të hollë në një cep, jemi si kërmijtë e gjorë, që duhet t’i mbajnë guaskat e brishta për të jetuar ose si molusqet e mjera, që të gjithë ua kërkojnë guaskën në fund të detit…”.

Personazhet dalin nga thelbi i vuajtjeve rrethanore, duke u përpjekur të zbulojnë kuptimin dhe të vërtetën në vetë vuajtjen, por në vend të kësaj zbulojnë komedinë e mbrapshtë të mashtrimit mbi mashtrimin – maskë mbi maskë. Një kontradiktë e tillë mund të përballohej vetëm përmes të qeshurave ironike. Për Pirandelon humori është një përzierje e të qeshurit dhe lotëve, një bashkim i fuqisë për të qesëndisur me fuqinë për të simpatizuar. Për marrëzitë e tyre, personazhet i trajton me keqardhje dhe jo me tallje, sikurse mjerimet e tyre të pashmangshme i trajton me dhembshuri./Konica.al

Historitë e Pirandelos i bëjnë apel mendjes që kërkon përgjigje për kontradiktat e çuditshme të jetës.

Shpesh, ato përmbajnë diskutime të gjata dhe debate të herëpashershme intelektuale me veten. Personazhet duket sikur po mbajnë fjalime për autorin në vend, që të zbulojnë veten përmes veprimit. Qëkurse mori famë botërore si dramaturg, tregimet e Pirandelos u anashkaluan disi, shumë nuk u përkthyen kurrë. Gjithsesi, tregimet e përkthyera i ofrojnë lexuesit të zhytur në mendime një model të filozofisë dhe pikëpamjes së jetës së një shkrimtari, veprat e të cilit ofrojnë një urë lidhëse nga romantizmi i shekullit XIX, përmes realizmit, në relativizmin e shekullit të njëzet. Reflektimi i Pirandelos, serioz dhe i athët, pasi zbulon hiçin tragjik, të fshehur ndonjëherë në imazhin qesharak të ngjarjeve, ndalet në mospërputhjet dhe disharmonitë e dhimbshme të realiteti, të cilat, në fund të fundit, e projektojnë njeriun në një shqetësim të ngutshëm dhe të dhimbshëm.

Stili i Pirandelos është një stil shumë personal, i cili në aftësinë për të qesëndisur dhe shfytyruar, në prirjen për ironi dhe ekspresionizëm, e afron atë me avangardën evropiane dhe me qëllimin për të zbuluar rrënimin në format e artit, kontradiktat morale dhe të thella psikologjike të individit. Orientimi ekzistencial dhe metafizik i kërkimit të Pirandelos është i afërt me qëndrimet e Kafkës, Kamysë, Sartrit, apo me dramaturgët e teatrit absurd: Beket e Jonesko etj./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mendime Kritike Kulturore

Çfarë shkruante Koliqi për Migjenin?

Nga Albert P. Nikolla

“Kohë e pamjaftueshme”