MENU
klinika

Nga Ilir Yzeiri

Dhuna që na zbuloi fytyrën

10.01.2022 - 21:54

Ajo që ndodhi më datën 8 janar në godinën e ish – Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë Popullore të quajtur «SHQUP», e cila me një vendim abuziv prej burracakësh, u shndërrua në godinën e Partisë Demokratike, nuk është ndonjë gjë që e bëjmë vetëm ne, shqiptarët. Më e fundit, për të marrë vetëm një shembull, është protesta lëvizjes « No Vax » në Romë kundër selisë së sindikatave italiane CISL. Mirëpo, në fund të saj, policia, mes të tjerësh, arrestoi edhe dy drejtues të një force politike që ishin aty, të quajtur Castellino e Fiore, të cilët nuk ishin mes atyre që dëmtonin ato zyra, por ishin ata që frymëzonin turmat për të shkatërruar selinë e sindikatës italiane.

Siç e dimë, dhunën ndaj insitucionieve e çoi në një shkallë të lartë lëvizja e «jelekverdhëve» në Francë. Tani së fundi, Kazakistani është në flakë sepse protestuesit u revoltuan, siç thonë ata, nga rritja e çmimit të gazit. Greqia fqinje është djegur me dhjetëra herë nga protestuesit radikalë e anarkistë. Pra, dhuna ndaj institucioneve, protestat e përgjakshme disa herë, nuk janë vetëm produkt shqiptar.

Ne, shqiptarët, i çudisim dhe i lëmë pa mend të gjithë me përmbajtjen dhe motivet me të cilat e nisim një protestë, i lemerisim të gjithë me frymëzimin që vjen nga urrejtja për njëri-tjetrin. Protestat e dhunshme në Shqipëri, që kanë si autor Sali Berishën, kanë qenë që të gjitha shfrim i urrejtjes për shqiptarin tjetër, për atë që ia ka marrë pushtetin dhe forcën Sali Berishës.

Kështu, Berisha ka arritur të zgjojë instinktet vëllavrasëse që flejnë që nga koha e Kainit dhe Abelit në subkoshiencën e një pjese të shqiptarëve dhe që kanë shenjuar, për fat të keq, të gjithë historinë e shqiptarëve. Në qoftë se diktatorë apo imperatorë të ndryshëm kanë sakrifikuar popullin për të zgjeruar territoret e tyre, elitat shqiptare kanë sakrifikuar popullin për të rrudhur territoret dhe për të konsoliduar pushtetin e tyre.

Nëse heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, nuk arriti të rindërtonte identitetin dhe unitetin e shqiptarëve duke iu kundërvënë perandorisë më të regresive dhe me synimet më antinjerëzore siç ishte ajo osmane, kjo, veç të tjerash, erdhi jo aq për faj të supremacisë së asaj perandorie, por edhe për shkak se shqiptarët, në shumicë, iu kundërvunë njëri-tjetrit : osamnët në sulmet mbi Arbërinë përdornin shqiptarët. Kujtoni këtu Ballban Pashën dhe historia merr fund. Përçarja dhe lufta mes shqiptarëve, përveç arsyeve të tjera, për mendimin tim, është shkaku pse 2/3 e territorit tonë janë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Rilindësit tanë, nëse i lexon me kujdes, bënin disa herë thirrje që të vëllazëroheshin toskët dhe gegët, që do të thotë se në shumë raste kjo ndarje kishte qenë fatale. Edhe Ali Pashë Tepelena me luftërat e tij të përgjakshme në terrioret shqiptare dhe sidomos kundër atyre të Sulit përdori sidomos mercenarët nga veriu i Shqipërisë. Ëshë e njohur historia e Lleshit të zi.

Qoftë gjatë mbretërisë së Zogut, qoftë edhe më pas gjatë Luftës, shqiptarët më lehtë e kishin të merreshin vesh me të huajt sesa mes vedi. Dhuna që komunistët ushtruan mbi kundërshtarët politikë ishte në fakt produkt i shqiptarëve dhe frymëzim i urrjetjes. Enver Hoxha nuk ishte në çdo qeli dhe nuk torturonte çdo të burgosur. Siç thuhet, në shumë raste, atëhere kur gjen terren, diktatura ia kalon edhe diktatorit.

Pas rënies së komunizmit, do të ishte normale që të shfaqej dhuna sociale, në kuptimin që mund të prisnim që të kishim manifestime shoqërore kundër politikës edhe të dhunshme ndonjëherë. Por kështu nuk ndodhi. Manifestimet e studentëve në dhjetor të vitit 1990 ishin paqësore. Manifestimet e studentëve më 2018-n ishin po ashtu paqësore. Ndërsa të gjitha manifestimet politike kanë qenë të dhunshme dhe të përgjakshme. Kulmin e arriti viti 1997 i cili pati si shkaktar Sali Berishën.

Po më datën 8 janar çfarë ndodhi ? Në këtë datë, Sali Berisha arriti të zgjojë përsëri instiktet e urrejtjes së një tufë fanatikësh që i binden atij për të sulmuar « pjellën » e tij. Dhuna e ushtruar mbi godinën e ish-SHQUP-it është ajo që në teoritë politike quhet heroizmi pa ide. Varetë, qysqitë, sëpatat që godisnin dyert e blinduara të ish-SHQUP-it ishin ofshamat dhe gulçimet e Sali Berishës që në nënvetëdijen e tij përfytyronte sikur po e therte pjellën e vet si një qengj. Ajo ulërimë e atyre çirakëve të mjerë që tani dergjen nëpër biruca ishte klithma e ekstazës së Sali Berishës që po hakmerrej me trupin e njomë të pjellës së vet – Lulëzimit.

Tani është shumë e vështirë të gjesh drejpeshim në arsyetim sepse atmosfera në këtë vend është si ajo e një çmendine dhe nëse ti kërkon të jesh normal e ke të pamundur. Berisha nuk është vetëm. Atë e mbështesin dhe ia nxisin urrejtjen një tufë e madhe gazetarësh, deputetësh dhe një pjesë e madhe e elitave. Heroizmi pa ide, lufta e shqiptarëve kundër shqiptarëve për të legjitimuar urrejtjen është një dramë institucionale. Vetëm te ne ndodh që edhe ndaj një dhune të tillë mesjetare, idiote, perverse, pa ide dhe të drejtuar nga një i marrë, opinioni të ndahet dhe të bëjë tifozllëk.

Vetëm këtu te ne ndodh që elitat e këtij vendi nuk janë shkëputur nga metastazat e urrejtjes dhe që e ndërtojnë çdo aksion të tyre në raport me urrjetjen që kanë për x apo y lider. Shqiptarët ndaj janë të përçarë dhe të shtypur nga dhuna e atyre që i qeverisin qoftë kur janë në opozitë qoftë kur janë në pushtet, sepse ata jetojnë si ushtarë të reshtuar në dy skalione dhe jo si njerëz të lirë.

Sot Sali Berisha duhet të ishte në qeli ashtu si ai drejtuesi i Forza Nova-së në Itali që frymëzoi militantët e tij brenda lëvizjes No Vax që të sulmonin selinë e sindikatës italiane. Po kush do ta bëjë këtë ? Elisabeta Imeraj ? Tani kujtohem që këtë prokurore e kam mbrojtur kur e shante dhe e akuzonte Lulëzim Basha. Paskam bërë gabim. Kjo prokurore kishte rastin e artë që të tregonte integritetin e saj profesional dhe ta plaste në qeli frymëzuesin dhe organizuesin e atij makabriteti. Mirëpo ajo nuk e bëri këtë.

Mesa duket Lulëzim Basha dhe një nga komisionerët që nuk e miratonte profilin e saj ne komisionin e vetingut paskan pasur të drejtë. Ajo na bindi se reforma në drejtësi paska qenë një gënjeshtër dhe një mashtrim. Jo për shkak të atyre që e ideuan atë, por për shkak se shqiptarët nuk ngrejnë dot institucione të pavarura. Shqiptarët duan të dhunohen e të shtypen si nga ata që i qeverisin si nga ata që janë në opozitë. Ata nuk ka kush i mbron.