MENU
klinika

Skënderbeu i krishtërimit...

Gjergj Kastrioti, prijës legjendar i kohërave

17.01.2022 - 12:55

         Heroi Kombëtar i Shqipërisë, Gjergj Kastrioti, lindi në vitin 1403 dhe u nda nga jeta më 17 janar të vitit 1468, në Lezhë, në moshën 63-vjeçare.

Gjergji i përkiste familjes mbretërore të Kastriotëve.

I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës e Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku, nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje, deri në detin Adriatik në perëndim.

Ai konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore, si heroi që pengoi perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës.

Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet figura legjendare e kombit shqiptar në shekuj.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër, pa Prijësin e saj.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15-të dhe ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm.

Mbeti në histori si luftëtar, si gjeneral njeri me principe dhe me ideale.

Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij, komandant i të gjitha fiseve Shqiptare dhe mbrojtës i Kristianizmit.

Arriti të ndalonte për 25 vite me rradhë përhapjen e hordhive turke në Ballkan pa humbur qoftë edhe një betejë. Me luftën e tij heroike arriti të fitonte admirimin e të gjithë Europës Kristiane.

Skënderbeu është një legjendë, imazhi i vërtetë i heroit që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën për idealet, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij.

 

Fotofrafi 1: Pikturë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut nga Kol Idromeno, 1890.
Fotografia 2: Vulë në dokumentin kur Skendërbeu shpallet mbret, 1458. Të ndryshme, vëllimi XXXIX, dokument #2398. Arkiva sekrete e Vatikanit.
Fotografia 3: Gjergj Kastrioti Skënderbeu nga Theodoor de Bry, 1596.
Fotografia 4: Drama SKËNDERBEU ose Dashuria dhe Liria një TRAGJEDI e shkruar nga anglezi Thomas Whincop (1697-1730), botuar në gjuhën shqipe më 13 janar 1920.