MENU
klinika

"Qendra e djathtë tashmë e përçarë, forcohet Rama"

Media greke jehonë zhvillimeve në PD

12.01.2022 - 19:04

Media greke Protothema i ka kushtuar një artikull të gjatë zhvillimeve më të fundit në Partinë Demokratike që kulmuan më protestën e 8 janarit dhe përjshtimin e liderit historik Sali Berisha nga forca politike që ai krijoi.

“Lulzim Basha kundër paraardhësit të tij Sali Berisha – Qendra e djathtë tashmë është e përçarë në parlamentin e ri – forcohet Rama”, e nis artikullin Protothema.

Në vijim të shkrimit bëhet një pasqyrim kronologjik i ngjarjeve që kulmuan me përjshtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike.

“Përmbysja e Berishës, themeluesit dhe kryetarit të Partisë Demokratike për 23 vite, dy herë kryeministër dhe president i Republikës, është rezultat i një konflikti të ashpër të brendshëm me kryesinë aktuale të partisë, e cila e konsideron atë një “barrë” pas shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas një mbledhjeje maratonë të Kryesisë së PD, Berisha dhe tetë zyrtarë të lartë, të cilët më parë kishin sfiduar legjitimitetin e kryetarit Luzlim Basha, u përjashtuan nga partia, duke u privuar dhe nga e drejta e të qenit anëtarë të thjeshtë. Mes të përjashtuarve nga partia janë edhe ish-presidenti shqiptar Bujar Nishani dhe ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka. Nga Kryesia u hoqën edhe 20 deputetë që kishin dalë në krah të Berishës.

“Prerja e kokës” e Berishës dhe mbështetësve të tij erdhi tre ditë pas demonstratave kundër Bashës, me incidente të rënda në selinë e partisë, kur mbështetësit e ish-kryeministrit tentuan të futeshin me dhunë në godinë. Për shkak të situatës së tensionuar policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë”, shkruan Protothema.