MENU
klinika

Cristiano Ronaldo

“Nuk erdha tek United për vendin e gjashtë”

13.01.2022 - 16:20

Cristiano Ronaldo nuk ndihet aspak mirë me situatën që po kalon Manchester United. Ai u rikthye aty për të qenë në majë, jo shumë larg kreut të Prenmier League.

Portugezi jep kushtrimin për ndryshim, në të kundërt nuk mund të pranojë të luajë për vendin e gjashtë apo të shtatë. Një mesazh i qartë për klubin nga “Old Trafford”. 36-vjeçari bëri këtë deklaratë të fortë për “Sky Sports Uk”:

“Unë mendoj se për të ndërtuar gjëra të mira, ndonjëherë duhet të shkatërrosh të vjetrat. Pse jo? Vit i ri, jetë e re dhe shpresoj që Manchester United të jetë në nivelin që duan tifozët. Ata e meritojnë. Tre trajnerë të ndryshuar tashmë në këtë sezon? Sinqerisht, nuk është e lehtë.

Ne kishim Solskjaer, pastaj Carrick, pastaj trajnerin e ri (Rangnick). Është e vështirë kur ndryshon aq shumë, gjithmonë e vështirë. Që kur erdhi Rangnick, mendoj se jemi përmirësuar në disa pika, por duhet kohë. Nuk është aq e lehtë të ndryshosh mentalitetin e lojtarëve dhe mënyrën e tyre të lojës. Unë mendoj se trajneri gjerman do të bëjë një punë të mirë.

Lamtumira e Solskjaer? Është gjithmonë e trishtuar dhe e vështirë. Ole luajti me mua më parë dhe tani ishte trajneri im. Një person i madh. Ai u shkarkua, të gjithë ishim të trishtuar, por kjo është pjesë e futbollit. Kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç dëshiron klubi, diçka duhet të ndryshojë. Ishte e vështirë, por jeta vazhdon.

Nuk pranoj që mentaliteti ynë është më i ulët se ai i të qenit në tri vendet e para të Premier League. Unë nuk dua të jem këtu për vendin e gjashtë apo të shtatë. Jam këtu për të provuar të fitoj, për të konkurruar. Ne mund t’i ndryshojmë gjërat tani. Unë e di rrugën, por nuk do ta përmend këtu, sepse nuk mendoj se është e saktë.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN