MENU
klinika

Artur Ajazi

Të merresh me këtë opozitë, është humbje kohe

13.01.2022 - 16:35

Në çdo vend me opozitë konstruktive, gjithçka shkon drejt normalitetit. E kundërta ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në Shqipëri. Sidomos, kur opozitën e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë, e njëjta dhe e vetmja parti. Ka 3 dekada që media, shoqëria civile, strukturat e pavarura dhe institucionet e varura nga zbatimi ligjit,merren me opozitën e të “marrit”, ndjekin hapat dhe veprimet e tij, protestat dhe luftën e brëndshme, citojnë deklaratat dhe ultimatumet e tij. Por sikur të mos mjaftonte kjo, edhe faktori ndërkombëtar,ka qenë dhe është i angazhuar maksimalisht në mbajtjen konstante të veprimtarisë antiligjore të kësaj opozite. Duke ndarë anët që e mbështesin dhe anët që e kundërshtojnë atë, mendoj se shumica anon nga pozitiviteti.

Askush nga ne, nuk dëshiron të shohë një opozitë që del kundër reformave, që del kundër miratimit të ligjeve shumë të rëndësishme në Parlament, askush nga ne nuk dëshiron që opozita të udhëheqë turmat e eksituara duke djegur institucionet dhe plagosur uniformat e shtetit. Mbetëm duke u marrë me të marrët, me të llastuarit, me ata që kanë mbushur thasët me milionat tona, dhe sot paguajnë mitingashët, mercenarët, mediat, avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët. Të merresh për 30 vjet rresht me të marrët, është një humbje kohe e pafalshme.

Ky vend ka humbur shumë, duke u marrë me të marrosurin, dhe ata që i shkojnë pas atij. Dhe të tillë ka sa të duash në opozitë. A thua është “aftësia” e të marrit, që ka mbledhur dhe vazhdon të mbledhë rreth vehtes të marrët e tij ? Por ja që kjo ndikon edhe në jetët tona. Kanë lindur fëmijët në 1992, janë rritur, janë bërë prindër, dhe sërish u duhet ti shpjegojnë fëmijëve të tyre, se “jetojmë në kohën e marrëzisë së një njeriu që nuk ikën nga skena, nga ekranet, nga bulevardet”. Kjo është për të qeshur dhe për të qarë. Një i marrë, ka marrë peng gjithë qetësinë, rehatinë, dhe mbarëvajtjen jetësore të shqiptarëve. Ai kërkon sërish partinë, çiflikun e tij, ai kërkon sërish rrëmujë, kaos, të shtëna armësh, të plagosur, ambulanca dhe zjarrëfikëse që turren të shpëtojnë njerëzit, viktimat. Dhe pse, sepse nuk po arrin të bëhet shteti ligjor.

Në çdo vend, i marri dhe të marrët, izolohen, hetohen, dënohen. Eshtë prekje e lirive dhe të drejtave të shumicës, në rast se dikush ngrihet dhe shkakton trazira, apo dhe që deklaron se “kam nisur revolucionin tim”. Dhe si me magji, (veç të marrëve të tij) pas i shkon edhe një pjesë e mediave, me pretendimin se “ai përbën lam”. Eshtë e trishtë, të mendosh se një familje me 5 apo 7 anëtarë që ka mbetur mes rrugëve pa strehë, pa punë, pa bukë, pa ndihmë, nuk përbën lajm, dhe përbën “lajm”, turma e të marrit, apo thirrja e tij për revolucion. Shqiptarët janë aq të lodhur, sa që lajme me “të marrë”, dhe njerëz që u kujtojnë skena krimesh, nuk duan ti shohin më.

Por ja që, paratë e fituara nga pushteti nuk mbarojnë kurrë.Ato janë para pronash të vjedhura, para tenderash, para trafiqesh dhe kontrabande, dhe sot më shumë se kurrë, është momenti të derdhen lumë. Eshtë koha të mbahen me para mediat që të pasqyrojnë takimet dhe revolucionin e tij, është koha që me para të mbushen sheshet dhe oborri partisë, derisa selia ti “kthehet të zotit”. Të merresh me këtë “opozitë”, është të humbësh kohën dhe trenin për të Europë, të cilin i marri, kërkon ta humbasin gjithë shqiptarët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN