MENU
klinika

Premier League, Java 25

Broja me shokë ndalin Ronaldon dhe United

12.02.2022 - 16:31

Manchester United është ndalur sërish në barazim dhe përsëri 1-1. Kësaj here në shtëpi ndaj Southampton të Armando Brojën. Dy pikë të lëna që kushtojnë shumë për United në synimin minimalisht për një vend në Champions.

Manchester United ka kaluar në avantazh në minutën e 21-të, me anë të Jadon Sancho. Në anën tjetër, Broja ishte sërish titullar dhe dribloi dhe la në vend me shpejtësi nga minuta e dhjetë Varane, duke dëshmuar sërish se është një lojtar i kalibrit botëror. Pjesa e parë mbaroi 1-0.

Me të nisur e dyta, Adams gjen golin e barazimit për Southampton, duke vënë në pozita të vështirë “Djajtë e Kuq”. Në minutën e 54-t, Broja merr topin nga rrethi i fushës, kundërshtari s’e ndal dot as duke e tërhequr nga fanella. Goditja e 20-vjeçarit kuqezi nga jashtë zone detyron De Gea të kryejë një pritje të vështirë.

Në radhët e Manchester United titullar ishte edhe Cristiano Ronaldo, ndaj të cilit nuk kanë munguar kritikat. Portugezi ka 5 ndeshje radhazi pa shënuar gol, çka nuk i ndodhte që te Real Madrid.