MENU
klinika

Qëllohen tre persona

Kaos jashtë festës së Justin Bieber

13.02.2022 - 12:48

Tre persona u qëlluan jashtë festës së Justin Bieber në restorantin “The Nice Guy” në Los Anxhelos të premten mbrëma.

Justin Bieber dhe gruaja e tij Hailey, u fotografuan duke dalë me nxitim nga restoranti, pasi shpërtheu një zënkë, e cila degradoi deri në të shtëna.

Këngëtari po organizonte një festë të mbushur me artistë të famshëm pas performancës së tij të ‘Super Bowl’ së bashku me Drake.

Reperët Kodak Black, Lil Baby dhe Gunna po largoheshin nga festa rreth orës 2:45 të mëngjesit kur shpërtheu një sherr me miqtë e reperëve që ishin në një makinë sportive Ferrari të kuqe.

Një burrë i paidentifikuar filloi të përleshej me dy burra, ndërsa sipas dëshmitarëve okularë, njerëzit filluan të vrapojnë për të shpëtuar jetën e tyre pasi shpërthyen të shtënat.

Si pasojë e kësaj zënke janë plagosur tre burra të moshës 19, 24 dhe 60 vjeç.

Nga vendi i ngjarjes janë transportuar në spital 19-vjeçari dhe 60-vjeçari. 24-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes por më pas është dërguar në spital.

Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur, por raportohet se të gjithë të plagosurit janë jashtë rrezikut dhe ndodhen në një gjendje të qëndrueshme.

Një burrë, i cili besohet të jetë mik i reperëve, thuhet se është qëlluar në prapanicë dhe një burrë tjetër, një koleksionist autografesh, besohet se është qëlluar në këmbë.

Sulmuesit janë ende në arrati dhe nuk është bërë asnjë arrestim. Nuk ka asnjë të dyshuar përderisa hetimet janë në vazhdim.