MENU
klinika

Analiza

Mario Draghi-n e pret një vit i vështirë, Italinë po ashtu!

04.02.2022 - 20:13

Kryeministri italian Mario Draghi ka të ngjarë ta ketë të vështirë të kontrollojë koalicionin e tij, paralajmërojnë politikanët dhe analistët, pasi marrëdhëniet brenda dhe midis partive në pushtet u përkeqësuan.

Presidenti 80-vjeçar në largim Sergio Mattarella u rizgjodh për një mandat të dytë të shtunën, me krerët e partive që i kërkuan atij të vazhdojë pas shtatë raundeve të votimit.

Draghi tani duhet të udhëheqë qeverinë e tij të mavijosur përmes një sërë sfidash të vështira.

Ai është nën presion nga partitë në koalicion, për të frenuar ndikimin e kostove më të larta të energjisë tek firmat dhe familjet, dhe partitë janë në mosmarrëveshje lidhur me një reforme të diskutueshme të sistemit të pensioneve.

Italia i është zotuar gjithashtu Brukselit se do të miratojë deri në fund të vitit rreth 100 masa në këmbim të rreth 200 miliardë eurove (223 miliardë dollarë) fonde për rimëkëmbjen e pandemisë.

Suksesi i Planit të Rimëkëmbjes së Italisë shihet si vendimtar për perspektivën e huamarrjes së përbashkët të BE-së në të ardhmen.

Ndërkohë, kriza e koronavirusit tregon pak shenja uljeje.

Draghi kishte dashur vetë rolin e presidentit, por oferta e tij u kundërshtua nga dy parti të mëdha në koalicion dhe mori pak mbështetje midis ligjvënësve.

Tregjet financiare ka të ngjarë të mirëpresin vazhdimin e status quo-së si një shenjë stabiliteti, por java e trazirave ka lënë plagë të thella.

Koalicioni i Draghit përfshin partitë kryesore të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë, si dhe Ligën e krahut të djathtë, lëvizjen e dikurshme 5-Yjet dhe disa parti më të vogla.

Zgjedhjet presidenciale i panë këto grupe të ndara ashpër, me Partinë Demokratike (PD) të qendrës së majtë që mbështeti kryesisht ofertën e Draghit, dhe Lidhja dhe 5-Yjet kundër saj.

Saktësisht se si do të shkojnë trazirat për Draghin, mbetet për t’u parë. Disa politikanë thonë se roli i vetë Draghit si komandant i koalicionit në fakt do të forcohet.

Megjithatë, votimi zbuloi gjithashtu ndarje të shumta brenda partive dhe shenjar për stabilitet nuk janë premtuese.

Shumë ligjvënës të Lidhjes ishin të pakënaqur me ndryshimet e shpeshta të kandidatit të liderit Matteo Salvini dhe vendimin e tij përfundimtar për të mbështetur Mattarella.

Ministri i Industrisë, Giancarlo Giorgetti u tha gazetarëve të shtunën se po mendonte të jepte dorëheqjen, përpara se të tërhiqej më vonë.

Në të djathtën e spektrit politik, uniteti i një aleance konservatore të partive u shkatërrua gjithashtu gjatë zgjedhjeve presidenciale, me Salvinin që vazhdimisht shprehu zemërimin e tij ndaj aleatit tradicional Forza Italia, një partner në koalicionin e Draghit.

Politikani veteran centrist Pier Ferdinando Casini, i cili ishte vetë një kandidat kryesor për rolin e presidentit, tha të dielën se nuk kishte dyshim se qeveria ishte dobësuar.

“Shpresoj që partitë tani të dyfishojnë mbështetjen e tyre për Draghin, por duke parë që nuk kam zbritur vetëm nga hëna, dhe ky është viti i fundit para zgjedhjeve, kam frikë se kjo nuk do të ndodhë,” tha ai për Corriere della Sera.

Burimi: Reuters

Përktheu dhe përshtati: Konica.al