“Me gjak, jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, jam murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, i përkas botës. Me zemër, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit.”
Më 14 shkurt të vitit 1990, Nënë Tereza mori nënshtetësinë shqiptare.
“Tereza”, siç e njohu mbarë bota Anjezë Gonxhe Bojaxhiun, iu kushtua besimit që në moshën 18-vjeçare. Nënë Tereza e Kalkutës, shenjtorja shqiptare, me veprat e saj të panumërta të bamirësisë dhe shembullit të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe përkujdesjes arriti të pushtojë botën dhe të fitojë Nobelin për Paqen.
Gruaja shtatvogël, por me zemër tepër të madhe, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup dhe u nda nga jeta, më 5 shtator 1997 në Kalkutë, Indi.
Gonxhja ishte fëmija i tretë i Nikollë Bojaxhiut, nga Mirdita dhe Drane Barnajt, nga Gjakova.
Mësimet e para dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Pasionet e saj vajzërore ishin mësuesia, të shkruarit, diktimi i poezive dhe muzika, që së bashku pasqyrojnë ndijimet e thekshme që e prinë drejt vokacionit sipëror, fesë.
Më 26 shtator 1928, Nënë Tereza la Shkupin për të nisur misionin e saj fisnik në shërbim të të pamundurve, pa ditur se prej kësaj dite, do t’u jepte lamtumirën për së gjalli nënës dhe motrës së saj. U vendos në Kalkutë, ku fillimisht qe mësuese, sikurse dëshironte që në vogëli. Më pas, u caktua drejtoreshë e shkollës së atyshme të vajzave.
Në kuadër të shërbesës së përkushtuar ndaj nevojtarëve, themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951). Për këtë përulësi të pashembullt, do të vlerësohej në vitin 1979 me çmimin ”Nobel për Paqe”, prej nga ku u mësua në mbarë globin, kombësia e saj shqiptare.
Në pasqyrën përmbledhëse të veprimtarisë së “shqiptares trupvogël” në Kalkutë në mesin e viteve ‘80, përmblidheshin: kujdestaria e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekimi i 960,000 të sëmurëve në 213 dispanseri, trajtimi i 47,000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, përkujdesja ndaj 3,400 të moshuarve të braktisur dhe birësimi i 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.
Nënë Tereza mbylli sytë përgjithmonë, më 5 shtator 1997.
U shpall “E Lume” nga Papa Shën Gjon Pali II, më 19 tetor 2003, ndërsa shenjtëria e saj u përjetësua edhe me titull, nga Papa Françesku, më 4 shtator 2016.
Vepra madhështore humane e saj, vijon të jetë burim frymëzimi dhe krenarie, jo vetëm për shqiptarët kudo janë, por botën mbarë…