MENU
klinika

Vëllezërit Inzaghi

Njëri “vrasës” i lindur, tjetri i prerë për trajner

16.02.2022 - 18:22

Teksa gjurmon rrugëtimin e vëllezërve Inzaghi, vëren diçka kozmike… Duket sikur universi po bën çmos për të korrigjuar një çekuilibër në linjën e gjakut të familjes.

Si lojtarë, nuk kishte dyshim se kush fitoi më shumë zemra dhe mendje. Filippo shënoi mbi 300 gola ndërmjet viteve 1991 dhe 2012, duke e përfunduar karrierën e tij me një normë shënimi një në dy goditje në portë.

Nga ana tjetër, edhe Simone nuk ishte i dobët në futboll; ai fitoi shtatë trofe me Lazion, duke përfshirë një Scudetto në vitin 2000, por për sa i përket aftësive të lindura, ai kurrë nuk u përfol në të njëjtën frymë si vëllai i tij i madh.

Megjithatë, tani të dy vëllezërit e kanë kaluar sfidën në një disiplinë të re, atë të trajnerit dhe tashmë situata duket se është kthyer në favor të më të voglit të familjes së rritur në San Nicola, në veri të Italisë.

Në fillimet e tyre të hershme, të dy ecën në të njëjtën rrugë, megjithëse Simones, tre vjet më i ri nga Pippo, iu desh të zgjaste hapin e tij për të ndjekur të vëllanë.

Të dy u rritën në San Nicola në Italinë veriore, duke luajtur futboll së bashku, duke studiuar së bashku. Nëna e tyre, Marina, kishte shpresuar që të dy të bëheshin mjeke, por në fund ata u diplomuan në kontabilitet.

Pasi kaluan në sistemin e të rinjve me Piacenzan në Serinë B, vetëm në vitin 1995 rrugët e tyre nisën të ndahen dhe historitë të ndryshojnë. Pippo, bëri përshtypje pas disa huazimeve të frytshme dhe një sezoni me 15 gola me Piacenza-n që u ngjit në Serinë A, ndaj u ble nga atëherë kampionët e Kupës UEFA, Parma.

Simone, një sulmues si vëllai i tij, do të duhej të priste edhe pak. Më vonë, atij iu dha një mundësi me ekipin e parë të Piacenza-s. E sulmoi me të dyja këmbët dhe 15 gola të shënuar në sezonin 1998/99 të Serisë A e renditën atë para vëllait të madh në listën e golashënuesve, (atëherë Pippo luante me Juventus), dhe i dhanë mundësinë e një transferimi te Lazio që kërkonte titullin kampion.

Një vit më vonë, të dy po konkurronin për titullin kampion, Pippo me Juven dhe Simone me Lazion. Nëntë ndeshje nga fundi i kampionatit, Lazio mposhti Juventusin 1-0 në Torino për të dalë me tre pikë nga përballja.

“Të paktën në këtë mënyrë, nëse njëri prej tyre humbet, ai mund ta ngushëllojë veten me faktin se tjetri ka fituar”, tha babai i tyre, Giancarlo, përpara asaj ndeshjeje vendimtare në garën për titull dhe historinë e familjes Inzaghi.

Komentet e tij nuk ishin një përpjekje e fshehtë e hollë për diplomaci; ata reflektonin një ndjenjë të vërtetë brenda “klanit” Inzaghi. Edhe në kulmin e betejës, mes djemve nuk kishte asnjë ashpërsi.

Në fund, Lazio ishte triumfuese, duke kompletuar një tripletë të SuperKupës Europiane, Kupës së Italisë dhe Serisë A. Në të njëjtën kohë, me 19 gola në 39 ndeshje, sezoni 1999/2000 ishte zeniti i karrierës së Simones. Në 11 vitet e ardhshme, ai do të arrinte shifra dyfishe vetëm një herë dhe në shtatë sezonet e tij të fundit të karrierës, ai shënoi katër gola në total.

Pippo doli pa dyshim më mirë në mijëvjeçarin e ri, duke fituar tetë trofe, përfshirë Kupën e Botës në 2006-ën. Me transferimin në Milano në 2001-shin, ai u bë një gjuetar i fiksuar pas golave dhe lavdisë, aq sa edhe i madhi Johan Cruyff do të thoshte: “Shiko, se ai nuk di të luajë fare futboll, por është gjithmonë në pozicionin e duhur”.
Duke qenë në “atë pozicionin e duhur” i fitoi dy Champions League me Milanin dhe u bë golashënuesin kryesor i klubit në kompeticionet evropiane. Ishin dhuntitë e tij instinktive, dhe jo cilësitë në këmbët e tij, ato që e bënë atë një lojtar të madh. Ai i tij, ishte një shkëlqim i pamenduar.

Menaxherët e mëdhenj të lojës, megjithatë, priren të jenë më përllogaritës dhe Simone është mishërimi i kësaj. I rritur në San Nicola, ai dhe Pippo luajtën në të njëjtin ekip të të rinjve, një ekip të cilin Simone e drejtonte pavarësisht nga prania e vëllait të tij shumë më të madh e më të shkathët.

Edhe në një moshë kaq të vogël, ai i dha kuptim strukturës, organizimit dhe disiplinës. Ndoshta ishte e pashmangshme që ai një ditë të qëndronte pranë vijave anësore, i ngarkuar me marrjen e vendimeve të rëndësishme.

Megjithatë, ishte Pippo ai që pati për herë të parë një shans për lavdi. Pasi u tërhoq në vitin 2010, ai mori drejtimin e Milan Primavera-s, sistemin e të rinjve të klubit, përpara se të promovohej në U-19 dhe përfundimisht në ekipin e parë. Milani përfundoi i dhjeti në sezonin e tij të vetëm në krye dhe Pippo u shkarkua.

Ai pati më shumë fat me Venezzia, duke fituar promovimin në kategorinë e dytë përpara se të emërohej trajner i Bolonjës në 2018. Aty u shkarkua pas dy fitoreve në 21 ndeshjet e tij të para, por jo përpara se të “kryqëzonte rrugët” me një fytyrë të njohur më 26 dhjetor.

Në tetë vitet e mëparshme, Simone kishte ndërtuar në heshtje një reputacion për veten e tij si një nga talentet më të ndritura menaxheriale të Italisë. Duke filluar me ekipin e të rinjve të Lazios në vitin 2010, ai përfundimisht mori detyrën si kryetrajner në 2016-ën, pas qëndrimit famëkeq dyditor të Marcelo Bielsa në “Stadio Olimpico”.

Që nga ajo ditë, ai ka fituar Kupën e Italisë në 2019-ën dhe e ka kthyer Lazion në pretendent të vërtetë për titullin për herë të parë në dy dekada. Ai mundi skuadrën e Bolonjës së vëllait të tij në “Boxing Day 2018” dhe Pippo u shkarkua tre ndeshje më vonë.

Verën e kaluar, Simone i dha fund eksperiencës me Lazion, për një aventurë edhe më të madhe, atë të drejtimit të Interit, që sapo ishte shpallur kampion Italie me Antonio Conten. Edhe këtu starti ishte perfekt, pasi iu deshën vetëm pak muaj për të fituar trofeun e parë, Superkupën e Italisë, teksa ekipi zikaltër është pretendent kryesor edhe për titullin kampion.

Nga ana tjetër, Inzaghi i madh që atëherë ka punuar me Benevento, me të cilin u ngjit në Serie A, ku u përball sërish me Simonen si trajner, por edhe këtë herë gjërat nuk shkuan mirë, ndërsa aktualisht Pippo drejton Brescian në Serinë B, me “dallëndyshet” që janë favorite për t’u ngjitur në elitë.

Kur ishin futbollistë, Simone rrallë dilte nga hija e vëllait të tij. Kur ata të takohen përsëri, do të jenë si miq të mirë dhe si bashkëmoshatarë. Ekuilibri do të rivendoset. (Supersport)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN