MENU
klinika

Ja mesazhi i shefit të Kremlinit

Putin uron Vuçiç-in: Lidhjet Rusi-Serbi i kontribuojnë sigurisë në Evropë

14.02.2022 - 20:20

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e uroi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për Ditën e Shtetësisë së Serbisë, duke i thënë se marrëdhëniet midis dy vendeve po zhvillohen në mënyrë dinamike dhe në frymë të partneritetit strategjik, njoftoi të hënën Presidenca e Serbisë.

“Është vendosur një dialog përmbajtjesor dypalësh dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme sjell rezultate të mira. Jam i sigurt se zhvillimi i mëtejshëm i lidhjeve konstruktive ruso-serbe u përgjigjet plotësisht interesave të popujve tanë vëllazërorë dhe kontribuon në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në kontinentin evropian”, thuhet në urimin e Putinit, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Letra e tij vjen në kohën e tensioneve të larta midis Rusisë dhe Perëndimit, për shkak të grumbullimit të ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën.

Disa vende perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia po përgatitet për të pushtuar Ukrainën dhe SHBA-ja ka thënë se sulmi mund të nisë “në çdo moment”.

Rusia mohon se ka plane për pushtim, pavarësisht grumbullimit të mbi 100,000 ushtarëve dhe stërvitjeve ushtarake në kufijtë me Ukrainën.

Shteti rus ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe se nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën.

SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesat ruse për zgjerimin, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.

Serbia, sikurse edhe disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, u ka rekomanduar qytetarëve të saj, që aktualisht banojnë në Ukrainë, të shqyrtojnë mundësinë e largimit të përkohshëm nga territori i atij vendi.

Serbia nuk është anëtare e NATO-s dhe zyrtarët e saj vazhdimisht përsërisin se nuk do të heqin dorë nga parimi i neutralitetit ushtarak.

Pavarësisht kritikave nga Brukseli, Serbia vazhdon bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak me Rusinë.

Vuçiç dhe Putin janë takuar për herë të fundit në Soçi të Rusisë, më 25 nëntor, 2021, kur kanë diskutuar për çështjen e furnizimit me gaz në Serbi, situatën me Kosovën dhe çështje të tjera dypalëshe.

Serbia shënon Ditën e Shtetësisë së saj më 15 shkurt. /Rel/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë kërkon Rusia në Ballkanin Perëndimor?

Analiza në DW: Moska po zgjeron ndikimin e saj, synimi është të…

Reagimi i Ministrisë së Jashtme të Kosovës

“Armatosja e Serbisë nga Rusia, kërcënim për rajonin”