MENU
klinika

Mundësi për talentët

Reja shënjestron të rinjtë për miqësoret e marsit

20.02.2022 - 21:20

Shpresat e Shqipërisë tashmë janë bërë një vitrinë për Kombëtaren, ku trajneri mund të zgjedhë elementë të rëndësishëm për të ardhmen. Broja dhe Kumbulla janë rastet më të freskëta se si e zunë vendin e tyre te kuqezinjtë, ndërsa rrugën e tyre mund ta ndjekin edhe talente të tjera që mbajnë veshur fanellën e 21-vjeçarëve.

Vetë Reja e ka theksuar se në ekipin Shpresa gjenden lojtarë të cilët pa frikë mund t‘i bashkohen Kombëtares A. Një fat të tillë mund ta kenë që në muajin mars, kur Shqipëria luan miqësoret me Spanjën dhe Gjeorgjinë.

I pari që vjen ndër mend është Ernest Muçi, i cili këtë sezon po fiton hapësirat e tij te Legia, ku nuk i kanë munguar as golat. Gjithashtu, një përforcim i ri për Rejën mund të jetë në mesfushë. Kristjan Asllani ka fituar besimin e trajnerit të Empolit dhe po merr vlerësime të mëdha në Serie A.

Ndërkaq e ardhmja premton më tepër, me futbollistë si Serxho Kalaj i transferuar te Frosinone në Serie B dhe Jurgen Çelhaka te Legia e Varshavës. Lojtarë këta që nëse marrin minutat e duhura me ekipet respektive do të jenë një alternativë e mirë edhe për Kombëtaren në vitet në vijim.

Gjithashtu që në muajin mars mund të vijë ftesa për një lojtar që ka bërë më së miri detyrën e tij te Shpresat dhe tashmë është  një makineri goli për Tirolin në Austri. Bëhet fjalë për Xhakomo Vrionin, 23-vjeçari që po shkëlqen me gola në elitën austriake.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN