MENU
klinika

Rritet numri i viktimave

Ukraina 24 orë nën pushtimin e Rusisë, shpërthime të tmerrshme mbi Kiev

25.02.2022 - 09:03

Vijon dita e dytë e sulmeve të Rusisë në Ukrainë, ku gjatë natës është raportuar për shpërthime të tmerrshme mbi Kiev.

Teksa janë bërë 24 orë luftë në Ukrainë, Presidenti Volodymyr Zelensky raporton se janë vrarë nga sulmet ajrore në qytete dhe baza ushtarake 137 civilë dhe personel ushtarak.

Zelenskiy tha se Rusia rifilloi sulmet me raketa në orën 4 të mëngjesit të 25 shkurtit, por trupat e saj ishin ndaluar të përparonin në shumicën e drejtimeve. Shpërthimet u dëgjuan nga Kievi herët më 25 shkurt, ndërsa sirenat ajrore ranë.

“Ata po vrasin njerëz dhe po i kthejnë qytetet paqësore në objektiva ushtarake. Është e keqe dhe nuk do të falet kurrë”, tha Zelenskiy.

Zelenskiy tha se pavarësisht humbjeve, forcat e armatosura të Ukrainës po “mbronin shkëlqyeshëm vendin kundër një prej kombeve më të fuqishme në botë”.

Rusia filloi pushtimin e Ukrainës para agimit të 24 shkurtit, duke lëshuar sulme ajrore mbi qytete dhe baza ushtarake dhe duke dërguar trupa dhe tanke nga shumë drejtime.

Në Uashington, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi për sanksione të reja kundër Rusisë, duke thënë se Putin “zgjodhi këtë luftë” dhe se vendi i tij do të mbante pasojat e veprimit të tij.

Zelenskiy u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit të vendosin sanksione edhe më të ashpra dhe të largojnë rusët nga sistemi SWIFT, një rrjet financiar kyç që lidh mijëra banka në mbarë botën. Biden tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj po e shmangin këtë veprim për momentin, por mund të vendosin më shumë sanksione më vonë