MENU
klinika

Sugjerimet

Braçe: Paketa antikrizë e drejtë, por të luftohet abuzimi me çmimet!

16.03.2022 - 20:02

Ish zv.kryeministri Erion Braçe e ka cilësuar Paketën e Rezistencës Sociale të qeverisë për pasojat e luftës si të drejtë, por ka vënë theksin se kjo do të ishte e pamjaftueshme nëse nuk do të shkonte paralelisht me luftën e abuzimit të çmimeve. Në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarët Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, Braçe pranoi që rritja e çmimeve përgjatë kësaj kohe ka ardhur jo vetëm si pasojë e luftës, por edhe abuzimeve, prandaj thotë duhet kontrolluar marzhi i fitimit të kompanive.

“Të gjitha pikat e Paketës së Rezistencës Sociale të drejta dhe qeveria ta mbajë deri në fund, jam kundër uljes së tatimeve dhe taksave. Të gjitha pikat të drejta, por duhet të kombinohet me luftën kundër abuzimeve në treg, se nëse çmimet rriten, edhe masa e efektivitet e parave që jepet për këto shtresa në nevojë bëhet e vështirë, duhet luftë kundër abuzimit të çmimeve”, tha Braçe

Për protestën e zhvilluar kundër rritjes së çmimeve, Braçe tha se duket qartë që janë organizuar nga opozita, nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, ndonëse nuk i përmendi me emër, po i etiketoi si ‘njerëz që luftojnë për interesa personale’, megjithatë pranoi se ka elementë qytetarie.

“Në protestë ka kërkesa politike, heqja e taksës, ndryshimi janë politike, nuk mund të bëhet në rrugë, ndryshimi i buxhetit nuk bëhet në rrugë, ato që dalin si organizator të protestës, le të dalin publikisht, të formojnë një organizatë politike dhe të mos fshehin dy partitë kryesore që janë të interesuara për pushtetin dhe jo për njerëzit.  Ka elementë të protestës qytetare, ato që udhëheqin kanë interesa politike, që fshehin partitë politike”, tha ndër të tjera ish zv.kryeministri.

Ndërkohë, rritja e çmimeve të karburanteve në bllok nga të gjitha kompanive, për Braçen, ishte një tregues i qartë se ky treg nuk ka transparencë e as konkurrencë, teksa fajtor bën edhe institucionet që nuk kanë vepruar si duhet. Kritika të ashpra ka pasur edhe për Autoritetin e Konkurrencës dhe kreun e saj, Denar Biba, me këtë të fundit që e ka etiketuar si “një djalë që nuk merr vesh nga këto punë”.

“Ka çaluar funksionimi i lirë dhe në konkurrencë i tregjeve. Ky treg është simbol i mungesës ë transparencës dhe i konkurrencës. (..) Autoriteti i Konkurrencës është në një proces zhvillimi, ky djali që nuk merr vesh nga ky punë, ka zbuluar se në 30 vite Autoriteti i Konkurrencës ka luajtur një rol që nuk i takon dhe ky do t’i jap një zhvillim të ligjit, është në një proces krijmtarie, nuk kanë nisur hetime”, tha ish zv.kryeministri në ‘Studio Live’.

Braçe, si një njeri kritik i qeverisë edhe kësaj here, nuk i ka kursyer, ku tha se nuk e ka vëmendjen te sportin, e ndërsa zgjedhjen e Armand Dukës në mandatin e 6-të në krye të FSHF-së, e cilësoi si një paligjshmëri të qartë. Në fund, edhe pse jo shumë gjatë, u ndal edhe te zgjedhjet e 6 marsit, ku PS-ja mori 5 Bashki nga 6, përveç Shkodrës ku fitoi Bardh Spahia, kandidati i Berishës dhe Metës. Për këtë, tha se i vjen keq për shkodranët, që në 30 vite janë të keqpërdorur politikisht.