MENU
klinika

NBA

Bucks presion për kreun, Lakers jashtë “play-in”

30.03.2022 - 11:30

Në fundin e sezonit të rregullt në NBA, sidomos në Konferencën e Lindjes është ndezur shumë lufta për vendin e parë. Kampionët në fuqi të Milwaukee Bucks hedhin kandidaturën për të marrë kreun e renditjes pas fitores së vështirë 118-116 arritur në fushën e Philadelphias.

Sfidë e ekuilibruar deri në fund, ku për kampionët e Bucks u dallua i zakonshmi Giannis Antetokounmpo me 40 pikë e 14 rebound. Në kahun tjetër, Harden realizoi 32 pikë dhe Embiid 29, por që në fund mbetën thjesht për statistikë.

Po në Lindje, fiton edhe Brooklyn Nets, që falë 31 pikëve të Durant mundi 130-123 Detroit Pistons. Nets ndodhen në vendin e tetë dhe po bëjnë përpjekje për të qenë mes gjashtë skuadrave të para për play-offin e sigurtë.

Në Perëndim, një tjetër dështim për Los Angeles Lakers, që u mund 128-110 nga Dallas Mavericks, ndeshje ku diferencën për teksanët e bëri Luka Doncic. Ai realizoi një “triple double”, me 34 pikë, 12 rebound e 12 asist. Në këtë sfidë mungoi LeBron james dhe tashmë Lakers zbresin në vendin e 11-të, jashtë zonës play-in.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN