MENU
klinika

Ballkaniada në salla të mbyllura

Gega medalje ari dhe argjendi, edhe Smajlaj ari

05.03.2022 - 22:26

Në Stamboll të Turqisë u zhvillua Kampionati Ballkanik i sallave të mbyllura në atletikë, aktiviteti i përvitshëm i sportit të mbretëreshës ku mori pjesë edhe Shqipëria me disa atletë.

Vendi ynë arriti të sigurojë dy medalje të arta dhe një të argjendtë në këtë turne, si gjithnjë me dy atletët e saj më të mirë Luiza Gega (ari dhe argjendi) dhe Izmir Smajlaj (ari).

Izmir Smajlaj zuri vendin e parë në garën e kërcimit së gjati, ku morën pjesë 13 konkurrentë. Atleti shkodran arriti dy herë të kërcejë 7.79 metra, rezultati më i mirë i kësaj gare, duke zënë vendin e parë. Nga 7 prova, Smajlaj realizoi 4 prej tyre, në dy raste bëri faull dhe në përpjekjen e fundit u tërhoq.

Luiza Gega mori dy medalje. Në 3000 metra ajo zuri vendin e parë (medalje ari), me kohën 9’15”11. Ajo fitoi falë një sprinti të fuqishëm në metrat e fundit ndaj rivales turke (9’15”33). Në këtë garë morën pjesë 6 konkurrente.

Në 1500 metra, Gega u klasifikua në vendin e dytë dhe mori medalje argjendi. Në këtë distancë ajo dha kohën 4’13”25, ndërkohë që konkurruan 7 atlete.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Luiza Gega (@luizagega)

Në kërcim së gjati mori pjesë edhe atletja Joana Azisllari, që me rezultatin 5.75 metra u klasifikua në vendin e tetë mes 10 konkurrenteve.

Në garat e tjera për meshkuj, në 60 metra, atleti Leandro Çardaku, u klasifikua i fundit mes 18 pjesëmarrësve. Koha e tij ishte 7”02, duke u klasifikuar i fundit si në baterinë e parë ashtu dhe në renditjen e përgjithshme.

Në 400 metra, Franko Burraj u rendit në vendin e pestë në baterinë e tij dhe në të shtatin në klasifikimin e përgjithshëm (48”08 koha e tij). Në 800 metra, atleti Eraldo Qerama u klasifikua i dyti në baterinë B dhe 10-ti në renditjen e përgjithshme. Ai dha kohën 1’53”41.