MENU
klinika

“Foltorja” nis të ndihmojë deputetët që iniciuan…

Prapaskenat/ Çfarë mund të ndodhë sot në selinë blu!

17.03.2022 - 12:46

Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike do të shkojnë sot në seancën plenare pa një vendim grupi se çfarë qëndrime do të mbajnë për rendin e ditës.

Po ashtu, nuk ka një udhëzim se ku do të jetë fokusi i diskutimeve. Pas zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit duket se Grupi Parlamentar i PD-së nuk po funksionon më si i tillë. Tashmë fokusi i të djathtëve është te zgjidhja e situatës së tyre të brendshme dhe gjetja e një formule për t’i bashkuar si para 9 shtatorit, datë kur kryedemokrati Basha përjashtoi Sali Berishën nga Grupi i PD-së, pasi u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 7 mars në mbledhjen e parë të Grupit të PD-së pas zgjedhjeve të pjesshme grupi i ligjvënësve të djathtë kërkoi që kryedemokrati Lulzim Basha të jepte dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Në mbledhjen e 7 marsit, kryedemokrati Basha mbajti shënime për kërkesën e secili deputeti dhe më pas mbledhjen e mbylli duke lënë një tjetër takim, por pasi të dëgjonte edhe kryetarët e degëve. Këtë të fundit ndryshe nga deputetët dolën pro Bashës dhe thanë se deputetët nuk mbajnë kontakte me zgjedhësit. Ata kërkuan që vetë deputetët të mbanin përgjegjësi dhe nëse të ofronin mandatin e tyre të deputetit nëse kërkojnë largimin e Bashës nga drejtimi i selisë blu.

NISMA PËR PËRJASHTIMIN

Teksa kryedemokrati Basha vazhdonte konsultimet edhe me organet e tjera të Partisë Demokratike, deputeti Ervin Salianji dhe Grida Duma të enjten e kaluar iniciuan një nismë për përjashtimin e Bashës nga grupi i PD-së. Në fletë nuk u hodh asnjë firmë, madje as nga vetë iniciatorët. Ndërkohë, ditën e shtunë, kreu i PD-së mblodhi sërish grupin e PD-së. Heshtja e tij dhe deklaratat e zbardhuar të kryetarëve të degëve kishin revoltuar deputetët, të cilët thuajse njëzëri kërkuan një gjë të përbashkët. Një hap pas Bashës që nënkuptonte dorëheqjen e tij.

Ndërsa diskutimi u fokusua se cili duhet të ishte qëndrimi i liderit historik Sali Berisha, burime nga mbledhja e Bashës me deputetët ditën e shtunë bënë me dije se kryedemokrati u kishte thënë deputetëve se ai e kishte marrë vendimin, por para se ta bënte publik do ta diskutonte edhe me Kolegjin e Kryetarëve dhe më pas takimi i radhës do të shihet me deputetët për t’i komunikuar vendimin. Por sërish në mbledhjen me kolegjit e kryetarëve, qëndrimet ishin ndryshe nga deputetët, ndonëse në mbledhjen e dytë edhe ata artikulonin nevojën për zgjidhje, këtë nuk e shikonin me ikjen e menjëhershme të Bashës. Ndërkohë që nga mbledhja me kolegjin e kryetarëve ditën e diel, Basha nuk ka pasur komunikim me grupin. Duket se Basha ka atribuuar nënkryetarin e PD-së, së Enkelejd ALibeajn, si kryetar grupi për të zbutur zemërimin e deputetëve, të paktën deri në fund të kësaj jave.

GRUPET NË PD

Tashmë demokratët janë ndarë në tri grupe. Grupi i parë është ai me deputetët, të cilët iu bashkuan që në fillim lëvizjes së Sali Berishës, “foltores”. Grupi i dytë është ai me deputetët, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe ngritjen e një mekanizmi përbashkues brenda selisë demokratike. Një retorikë e tillë është artikuluar nga deputeti Dashnor Sula dhe duket se ka gjetur mbështetjen e shumicës së deputetëve të PD-së. Sipas tyre, kryedemokrati duhet të japë dorëheqje pa kushte dhe një grup me përfaqësues nga selia blu dhe foltorja të përgatisin partinë për zgjedhje për kryetar partie, që mund të bëhen edhe pas zgjedhjeve lokale të 2023, duke mos përjashtuar askënd nga e drejta e kandidimit. Por një grup tjetër më në minorancë është më rebel. Por këta të fundit duket se së fundmi po asistohen edhe nga deputetët e foltores për të riaktivizuar nismën për të përjashtuar Bashën nga Grupi i PD-së nëse ky i fundit nuk tërhiqet nga PD. Burime për gazetën “Panorama” konfirmuan se deputetë të foltores kanë kontaktuar dje deputetë të selisë blu që të firmosin dokumentin ku kërkohet përjashtimi i Bashës nga Grupi i PD. Megjithatë, ende nuk dihet se sa është numri i deputetëve, të cilët e kanë firmosur një akt të tillë.