MENU
klinika

Vendimi zyrtar i F1

Shtohet një pistë tjetër, SHBA me 3 gara

31.03.2022 - 11:34

Një pistë e re i shtohet Formula 1. Duke nisur nga viti 2023, botërori i Formula 1 do të rikthehet në Las Vegas. Pas dy garave të këtij viti, në Austin dhe Miami, do të zhvillohet edhe një garë e tretë, akoma edhe më spektakolare, në rrugët qytetase të Las Vegas.

Bëhet fjalë për një garë me drita, që do të zhvillohet në rrugët e qytetit të kazinove, përfshirë edhe rrugën e famshme Strip, ku makinat pritet të kapin shpejtësinë 340 km/orë. Amerika bëhet vendi i parë që mirëpret 3 gara në një sezon.

Pista pritet të jetë e gjatë 6.1 kilometra dhe në total pilotët do të përshkuajnë 50 xhiro (14 kthesa). Te Formula 1 kjo garë shihet me shumë interesa, pasi bëhet fjalë për një pistë qytetase shumë të shpejtë, në qytetin e bixhozit.

Kjo nuk është hera e parë që Formula 1 zhvillohet në Las Vegas. Aty janë zhvilluar dy gara në vitet 1981 dhe 1982 dhe të dyja ishin vendimtare për përcaktimin e titullit kampion. Në vitin 1981 u shpall kampion braziliani Nelson Piquet. Në vitin 1982 fitoi titullin Keke Rosberg, babai i Nico Rosberg.