Ai na la strukturën për të menaxhuar një planet të shëndetshëm, pa luftë.
Albert Ajnshtajni ishte alergjik ndaj autoritarëve. Antipatia për dogmat, natyra lojcake dhe aftësia për t’u përqendruar në mënyrë konstruktive e lejuan të parashikonte mënyrat jokonformiste se si mund të funksiononte universi. Disa prej tyre rezultuan të vërteta. Vegimi i rrugës së tij drejt kuptimeve më të thella ishte superfuqia e tij. Mund të jetë edhe e jona./Konica.al/ Nëpërmjet udhëtimeve të brendshme të mendimit të pastër, Ajnshtajni shikoi përmbas realitetit të dukshëm të ditës, për të parë mekanizmat kundërintuitiv që mbështesin atë që ne besojmë se është e vërtetë. Me këtë proces, Albert Ajnshtajni, e ktheu universin e absoluteve të Isak Njutonit. Ajnshtajni pa atë që të tjerëve u kishte shkarë, duke qëndruar rrënjësisht mendjehapur. Dhe kjo do ishte teoria e relativitetit special: një punim i vitit 1905, që zgjidhte një konflikt të dukshëm midis shpejtësisë së kufizuar të dritës dhe ligjeve të pandryshueshme të fizikës. Këtë e bëri me pasoja të frikshme: orët në lëvizje duket se ngadalësohen në krahasim me orët “në pushim”. Ajo që duket si një çift ngjarjesh të njëkohshme për një spektator, mund të duket shumë e ndarë në kohë për një tjetër. Sendet fizike në lëvizje duket se tkurren përgjatë dimensionit që lëvizin. Është shqetësuese, por funksionon për të gjitha objektet në lëvizje, për sa kohë që ato nuk përshpejtohen ose ngadalësohen. Ajnshtajni ëndërronte. Ai dëshironte që relativiteti të qëndronte i vërtetë, kur entitetet përshpejtoheshin. Nëpërmjet “eksperimentit të mendimit”, ai kuptoi se një person në një kuti pa dritare nuk mund ta dinte nëse kutia ishte vendosur në një fushë graviteti, apo po sulej “lart” nëpër hapësirë. Efektet do të ishin ekuivalente.
Pra, a ishin vërtet të ndryshme?
Kjo e bëri Ajnshtajnin të kërkonte gravitetin jo si një forcë të padukshme, siç e diktonte tradita, por si asgjë më shumë se lakimi i hapësirës rreth një objekti. Por si mund të parashikohej shkalla e shformimit? Gjeometria e thjeshtë e Euklidit që kishte mbështetur universin e Njutonit nuk ishte në nivelin e duhur. As Ajnshtajni, vetëm jo të paktën. Ai filloi të punonte me matematikanin Marcel Grossman, duke u armatosur me gjeometrinë e lakuar të hapësirës së Bernhard Riemann dhe të tjerëve. Çiftit iu deshën tre vjet për të përgjithësuar plotësisht relativitetin brenda një kuadri rigoroz matematikor. Ndryshe nga reputacioni i tij i mëvonshëm publik, Ajnshtajni nuk ishte kurrë një ujk i vetmuar.[…] Emri i Ajnshtajnit hovi përtej specialitetit të shkencës. Shumë shpejt ai do të fitonte dukshmërinë e superyjeve, e cila u bë një platformë për të shprehur mendimet e tij përtej sferës së shkencës. Prej natyre prirjet kundërshtuese i mundësuan të revolucionarizonte fizikën. Pjesën tjetër të jetës, ai do ta përdorte famën për të mbrojtur diversitetin paqësor. Pozitivizmi infektiv i Ajnshtajnit mund të na ndihmojë të lundrojmë në këto kohë konfuze dhe të diskutueshme. Aftësia e tij për të përmbledhur, në një aforizëm, një të vërtetë të thellë që mund të ndiejmë, mund të na ngrejë moralin lart. Ajnshtajni synonte që teoritë e relativitetit të shpjegonin vetëm faktet e fizikës dhe mekanikës, pasi ato lidheshin me njëra-tjetrën. Për këtë, ai i këshilloi filozofët dhe të tjerët jashtë shkencës, që të mos riinterpretojnë marrëdhëniet njerëzore në një kontekst relativ moral. Ai nuk donte që ne ta justifikonim agresivitetin, si mbrojte për shkak të rrethanave lokale./Konica.al
Sot e kemi ne në dorë të vendosim, nëse do të përdorim atomet energjike të Ajnshtajnit për shkatërrim të tmerrshëm, apo shpëtim mjedisor. Nëse mund t’i besojmë njëri-tjetrit për të menaxhuar në mënyrë të sigurt burimet e energjisë bërthamore, ne mund të reduktojmë rrënjësisht katastrofën e dyfishtë që është ekonomia e hidrokarbureve: despotët lindin mbi pasuritë notuese nga nafta, gazi dhe qymyri. Ishujt dhe vendet e ulëta zhyten në ndërprerjet e klimës së serrës. Ende nuk e dimë me siguri se kush ka të drejtë, por të paktën, qasja e Ajnshtajnit na lë me një besim të patrazuar; një univers i kuptueshëm që nënkupton një planet (Toka) që ia vlen të mbrohet. Nëse të gjitha janë thjesht hierarki të rastësisë ose thjesht një simulim, ne mund të ndihemi të vegjël, të margjinalizuar nga universi; të lirë të dorëzohemi dhe thjesht, ta shahim botën teksa digjet.
Atomi paqësor
Në shtator 1905, Ajnshtajni publikoi në heshtje zbulimin, se një sasi e madhe energjie potenciale gjendet në sasi të vogla të materies nga një formulë e cila më vonë u kristalizua si E=mc2. Në gusht 1939, përballë totalitarizmit të pashpirt në rritje në Evropë, Ajnshtajni përdori famën për të ndihmuar në paralajmërimin e presidentit Frenklin Ruzvelt, se “bomba jashtëzakonisht të fuqishme” po bëheshin të mundshme. Ajnshtajnit nuk iu lejua pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në kërkimin e armëve bërthamore, nga dyshimi krejtësisht i pasaktë i FBI-së, se ai kishte prirje prokomuniste dhe, me gjasë, nga një paragjykim i nënkuptuar kundër hebrenjve. Ajnshtajni, prirja humanitare e të cilit e shtyu atë drejt pacifizmit, s’kishte aspak interes për ndërtimin e bombave praktike. [Por ai ndihmoi kur u pyet, duke krijuar një skemë të difuzionit të gaztë për të filtruar izotopet e uraniumit]. Ajnshtajni, zbuluesi i energjisë atomike, ishte ndër të parët që kuptoi se “një luftë bërthamore, nuk mund të fitohet dhe nuk duhet luftuar kurrë”, siç do të kodifikonin më vonë, në 1985, presidenti i SHBA-së, Ronald Reagan dhe Sekretari i Përgjithshëm Sovjetik, Mihail Gorbaçov.
Në ditët e sotme është e modës të qortojmë njëri-tjetrin, se nuk “qe i pranishëm”. Ajnshtajni ia doli, sepse diti të mungonte. Kolegët vunë re se ai mund të zhdukej me delikatesë nga biseda, për të kaluar në meditimin pasiv (nga pamja e jashtme). Rehatia e tij me, në të vërtetë dëshira për, veçimin, e lejoi të punonte pa u shpërqendruar. Ajnshtajni, ëndërrimtari realist, paraqet një paradoks. Dëshira për një organizatë paqeruajtëse gjithëpërfshirëse botërore, që zotëron më shumë fuqi ushtarake se çdo komb i vetëm, është dëshmuar po aq joreale sa një teoria e unifikuar e fushës që shpjegon të gjitha orët elastike të universit. Megjithatë, Ajnshtajni s’hoqi kurrë dorë nga vizionet. Albert Ajnshtajni është gjithnjë e më shumë një simbol i njëmijë hijeve, një ikonë shumëplanëshe që bashkonte gjeniun, mitin dhe njeriun./Konica.al