MENU
klinika

NBA

Suns shkatërrojnë Lakers, LeBron James vendos rekord

14.03.2022 - 13:14

Phoenix Suns mbetet skuadra më e mirë këtë sezon në NBA, ekipi i vetëm që ka kaluar kuotën e 50 fitoreve dhe i vetmi i kualifikuar në play off. Suns mundën thellë 140-111 Los Angeles Lakers, në një takim të dominuar gjatë gjithë kohës.

Booker me 30 pikë e 10 asist ishte më i mirë për Phoenix, ekip për të cilin 7 lojtarë realizuan mbi 10 pikë. Në kahun tjetër, LeBron James realizoi 31 pikë, por nuk mjaftuan. Megjithatë, me asistin e dhënë për Anthony, James bëhet basketbollisti i parë në historinë e NBA-së që vendos rekordin e 30 mijë pikëve, 10 mijë rebound e 10 mijë asiste në karrierën e tij.

Në Lindje, Brooklyn Nets vijon me ngjitjen, teksa mundi 110-107 New York Knicks në derbi, sfidë ku u dallua Kevin Durant, autor i 53 pikëve. Një ndeshje spektakolare e Durant, duke lënë pas kështu dëmtimin.

Fitore në kohën shtesë mori ekipi i Philadelphias, që mundi 116-114 Orlando Magic. Embiid realizoi 35 pikë, mbështetur nga Harden e Harris me nga 26 pikë secili. Me këtë sukses Philadelphia mbron vendin e dytë në Lindje pas Miami Heat.