MENU
klinika

Edward Lear në udhëtim

Viti 1857: Ngjyrat e Ksamilit…

13.03.2022 - 12:59

        Tabloja në akuarel është realizuar nga Edward Lear (1812-1888) në prill 1857, gjatë një udhëtimi të shkurtër në ”Tre scogli” (”Tre shkëmbinjtë”), Ksamili i sotëm, në veri të Butrintit në Shqipëri.

Lear lundroi nga Korfuzi, ku kish zënë me qira një shtëpi gjatë periudhës së dimrit, për në bregun përballë.

Në librin e vet ”Corfu Years” – ”Vitet e Korfuzit” (“Athens and Dedham”, 1988, fq 108), Lear shkruan. “Në datën 2 prill, filluam të lundrojmë rreth Korfuzit, me varkën e tipit ‘Midge’ të Lushingtonit. Mora George-in, kantinën ose kutinë e guzhinës, krevatin, letra për të vizatuar etj. Edward-i mori shërbëtorin e tij, Fillipo, një maltez.

Lundruam shumë qetësisht përgjatë tri orëve dhe u ankoruam në një gji të vogël të ”Tre scogli-Tre shkëmbinjtë” – shijuam gjithë pasditen me vizatime, poshtë shqopishtave dhe shkurreve të gjata, të gjitha të lulëzuara, hëngrëm një drekë të shijshme dhe kaluam një natë të qetë.

Bashkudhëtari i Lear-it ishte James Bevan Edwards (1834-1922), më vonë oficer madhor i ushtrisë britanike dhe politikan, i cili ishte djali i Samuel Price Edwards, një padron i arteve, i afërt me Lear-in, i cili posedonte tablo të tij si ”Corfu, from Ascension”(1859), ”Petra, teatri” (1859). ”Turin” (1862), ”Jerusalem” (1862) etj.

Edward Lear e kish realizuar udhëtimin e tij të parë në Shqipëri, në nëntor 1848.

Kjo është tabloja e parë e Ksamilit dhe si duket, aty ka qenë një natyrë e qetë. Interesant është emri ”Tre scogli”, që mesa duket i referohet tre ishujve të vegjël. Nuk dihet nëse ky emërtim është term që përdornin venedikasit, si zotërues të hershëm të Korfuzit dhe Butrintit, apo një përkthim i toponimisë që përdornin vendasit.

Lear pikturoi peizazhe të mrekullueshme nga Shqipëria, por në vendin tonë, nuk gjendet asnjë pikturë origjinale e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


MARTHA RIVERA GARRIDO

‘MOS U DASHURO’

Çfarë është arti?

”A ka gjini Arti?”