MENU
klinika

Zgjedhjet e futbollit në Kosovë

Ademi rizgjidhet në krye të FFK-së, opozitarët: Bojkot garave!

06.04.2022 - 13:09

Agim Ademi është rizgjedhur Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës edhe për katër vite të tjera. Pas votimit në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, u konfirmuar se Ademi do të jetë në krye të futbollit kosovar edhe për katër vite të tjera.

Me 42 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër, Agim Ademi u zgjodh President i shtëpisë së futbollit vendor, duke vazhduar kështu mandatin e tij.

Kujtojmë se Ademi ishte kandidati i vetëm për kryetar të FFK-së, duke ia dalë kështu të vazhdojë edhe për katër vite të tjera në një votim të hapur. Në këtë konventë punuese ishin të pranishëm edhe të dërguarit nga FIFA dhe UEFA, që monitoruan të gjithë procesin.

Përfaqësuesi i Dritës, Valon Zymberi, ka folur në emër të opozitës së FFK-së, teksa e ka cilësuar si të jashtëligjshëm Kuvendin Zgjedhor të FFK-së. Ai ka kërcënuar edhe me bojkotimin e garave.

Nga klubet opozitare ishin 15 delegatë që ishin mbledhur sot dhe e kanë shprehur opinionin e tyre të përbashkët rreth këtij Kuvendi, të cilin e bojkotuan pasi e konsiderojnë atë si të parregullt dhe të jashtëligjshëm.

Në emër të delegatëve që mendojnë ndryshe ka folur drejtori i Dritës, Valon Zymberi, i cili mes tjerash ka kërcënuar edhe me bojkotim të garave.

“Sot është dashur të jetë një ditë feste, por nuk ju kanë lejuar as ju mediave të hyni aty. Andaj, më e keqja është cenimi i lirisë së shprehjes, edhe me votë. Ne si grup që mendojmë ndryshe jemi grup që nuk e mbështesim këtë Kuvend sepse opinioni ligjor ka thënë se është i paligjshëm. Në shenjë të respektit të ligjeve të sportit, nuk kemi marrë pjesë në atë Kuvend”, ka thënë fillimisht Zymberi para mediave.

“Neve na është mohuar e drejta elementare e kandidimit të kandidatit tonë Gramoz Vokrri. FFK-ja ka treguar mendësi totalitare. Jemi po ata delegatë që e kemi mbështetur Vokrrin dhe jemi këtu e nuk jemi në atë Kuvend. Do të jemi deri në fund në mbështetje të Gramozit dhe nuk e mbështesim një Kuvend të paligjshëm”.

“Kemi dashur të jemi vetëm delegatët që kemi dhënë publikisht nënshkrime për Vokrrin. Nuk e di a ka ai Kuvend kuorum dhe i ftoj organet ta monitorojnë me kujdes sepse po e mbajnë një Kuvend të jashtëligjshëm”.

Zymberi po ashtu e shprehu dyshimin të ketë pasur manipulime me delegatë, pasi sipas tij, nëse pala tjetër i ka 43 nënshkrime, e 15 janë në opozitë dhe 7-8 të tjerë nuk kanë shkuar në Kuvend, i bie që kalohet numri i 58 delegatëve të mundshëm.

“Kandidati ynë ka qenë legjitim, ja ku mund ta shihni listën me nënshkrime. Duhet të intervenojë MKRS-ja dhe organet përgjegjëse. Në të kundërtën, nëse nuk merren masa nga institucionet, mbetet në opsionin tonë bojkoti i garave”, përfundoi përfaqësuesi i opozitës.

Kujtojmë që klube opozitare ndaj Agim Ademit janw konfirmuar klube si Drita, Prishtina, Trepça ’89, Malazog Hoxha i Lidhjes Rajonale Gjilani, si dhe përfaqësues nga KIKA dhe Vitia.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN