Arti nuk bazohet (identifikohët) me moralitet, as nuk mjafton me kenë njeri i ndershëm, për me kenë artist.
Nuk mund të gjykohët vlera e bukurisë me kritere të një rendi tjetër, as nuk mund t’i rëzervohët nënshtetësia vetëm atij frymëzimi, që vehët në sherbim të një ideali jashta artit.
Nuk mjafton për shembull që romani, drama, vjerrsha, të kenë një përmbajtje patriotike, për me u quejtun vepra arti.
Një atdhetar i mirë, mundët me kenë një shkrimtar i keq: si, dhe, një moralist i mirë, mundët me kenë një stilist i keq.
Arti për me kenë art duhët me kenë ma sëpari, shprehje e gjallë e bukurisë. Në këte vështrim (pozitiv dhe jo eskluziv), mund të pranohët teoria “art për art”. Megjithkëte, arti, simbas natyrës së vet, nuk gëzon një pavarësi absolute prej çdo ligje jashtë-artistike, nuk asht amoral.
Po të ishte prodhimi artistik vetëm një tubë shkëndijash të lëshueme prej zhenive të vetmuem në hapsinat e vetmueme ndoshta, nuk do të kishte pasë nevojë për termometrin e ligjit moral. Por, në fakt arti jep e merr gjithshka prej shoqnisë njerëzore, e cila, natyrisht mbështetët mbi bazat e këtij ligji moral prandej, nuk ka art të vërtetë që ai me kenë në kundërshtim me ligjin e natyrës dhe pa një përmbajtje (mbrendsi) morale.
I famëshmi profesor i letërsisë në Universitetin e Napolit, Fr. D. Ovidio, edhe pse pranon teorinë “art për art”, e shpjegon teorinë e vet pa rezerva kur shkruente: “Nuk do me thanë se gjykimi mbi një vepër arti do të jetë ekskluzivisht estetik.
Nuk duhët përzi elementi i thjeshtë estetik me elementët tjerë por, as nuk do të qendrohët indiferent ose kryelartë, përballë këtyne elementëve të tjerë. Arti nuk zhvillohët (JETON) jashtë botës por, asht i lidhun me të gjitha lëvizjet tjera njerëzore, me të gjitha manifestimet (shfaqjet) e tjera të jetës shoqnore madje, edhe me një njeri të vetëm. Aftësia artistike nuk asht një cilësi krejtë e veçueme, por asht e gërshetueme me cilësi të tjera të shpirtit”.
B.Croce, teoricien italian i estetikës në ditët tona shkruen: “Moralisti, me plot të drejtë kritikon disa vepra që esteti kërkon t’i miratojë. Porse, arti në kulm, sikurse i afrohët përkryemjës (përsosjes), ashtu edhe i afrohet së mirës; dhe përçamja ndërmjet moralit e estetikës, vërtetohët vetëm në veprat që rradhitën ndër shkallët ma të ulta në hjerarkinë e bukurisë”. Dhe, prap në një vend tjetër thotë: “Në kjoftëse, arti gjindët përtej kufinit të moralit, artisti “si njeri” nuk asht as përtej, as këndej por, nën sundimin e tij dhe nuk mund t’i shmangët detyrave si njeri”.
Kur vepra artistike merr gjallni prej frymës së idealeve ma të larta njerëzore, jo vetëm shumëfishohët ndikimi i saj mbi lexuesa apo shikuesa, (prej shkrimjes së idealeve të larta morale, me ata thjeshtë estetike) por, edhe artisti vetë fuqizohët në cilësitë artistike që ka prej natyre.
Në kundërshtim të haptë me këta parime asht ajo rrymë gati e përgjithëshme, e cila mbron teorinë e emancipimit të plotë të aktivitetit artistik prej moralit. Kjo rrymë prej lartësive të kthjellta, pak nga pak e ka ulë artin me i sherbye spekulimeve tregtare mbi andjet e turmave, me prodhime të ashtuquejtuna “artistike”. Prej shkëputjes nga ligjët morale, sot triumfon gjanë e gjatë dhe e patrazueme ndër të gjitha degët e lamit artistik, paraqitja sistematike pornografike-seksuale.
Bukë e përditëshme asht ngallnjimi (triumfi) i shkeljes së kunorës, mbështetun mbi evolucionizmin dhe determinizmin fatal Ibseman e Zolian. Shija e shndoshtë e bukurisë mbetët shumë e shtypun nën peshën e épshit dhe, kërkohët me u zëvendsue me drogat e impresionizmave të errta të sensacioneve violente të grushtave mahnitës.
Shtrembnimi (prishja, turbullimi) i ndjesive dhe i karakterit të turmave, i frynë vetë zjarrit që ka ndezun në to propaganda e pandërgjegjëshme. Të gjitha klasat shoqnore edhe ma të pazhvilluemet, i kërkojnë sot artit sorogate (mjete fitimi falso) të lehta.
Ndër shfaqjët e filmave të dinamizueme (fuqizueme) prej sonoritetit, në vërshimin e romaneve, revistave të ilustrueme etj., turmat gjejnë një mjet dëfrimi shumë ekonomik e të përdorshëm.
Çka mund të mendohët ma e tërbueme ose e bastardhueme, ma kriminale ose ma gjaksore, pranohët, shfaqët e përhapët prej këtij pseudo-arti, tue nxitë e ndezë dëshira të shfrenueme, sidomos ndër zemra që porsa kanë fillue me bulue, tue polarizue vëmendjen e tyne kah objektët seksuale.
Kjo ndodhë sepse mosha e ré asht ajo që e ndjen shumë ma të fuqishme tërheqjen dhe shijen kah bukuria, ajo asht préja ma e afërta e këtyne pusive.
Bukuria dhe dashnia janë dhe kanë me kenë gjithmonë, gurra e pashterrshme e frymzimit artistik. Por, frymzimi mundët me kenë bujar ose shtazor; i njajti objekt mundët me kenë edukues për një mendje të pjekun dhe shkrumues apo shpartallues, për një zemër të njomë, për një mendje të pandritun ende.
Kjo asht afër mendësh. Dhe, për me e prue edhe ma afër mendësh këte të vërtetë unë pyes përgjegjësit (prodhuesa, lejuesa ose reklamuesa) e propagandës së artit amoral (e imoral): A kishit me pranue ju, që fëmijët tuej e mbarë familja e juej me zbatue parimet që proklamohen e poshtersitë që përshkruhën e zhvillohën para syve të tyne ditë për ditë, ndër libra, revista, ilustrime, piktura, filma, etj.?!..
Porse, ta pranoni o mos ta pranoni, ata kur ta kenë mësue rrugën njëherë, kurrë kurrgja ma nuk i ndalë!
Frytet shihën por asht kot me kja!..
Kush mbjellë érë, korrë stuhi thotë një proverb i huaj!
***
Marrë nga gazeta e përdyjavshme: “Tomorri i vogël”
Tiranë, 15 gusht 1942.