MENU
klinika

Analiza

Gjermania tani duhet të marrë përgjegjësi për luftën në Ukrainë!

12.04.2022 - 08:50

Shumë kohë më parë, Britania e Brexit ishte djali i keq i Evropës. Më pas ishte radha e Polonisë.

Tani, pas pushtimit të Ukrainës, është Gjermania. Disa nga këto kritika janë të merituara.

Disa prej tyre ringjallin stereotipe të shëmtuara dhe paragjykime të vjetra që vijnë nga epoka naziste.

Qeveria e Olaf Scholz është nën presion për të ndalur importet e gazit dhe naftës dhe të ndalojë bllokimin e sanksioneve më të ashpra të BE-së ndaj karburanteve fosile të Moskës.

Kur kancelari i Gjermanisë vizitoi Downing Street të premten, Boris Johnson i kërkoi atij që të ndryshonte zakonin “e turpshëm”.

Kryekllouni i Brexit-it nuk është falur nga BE-ja dhe ndoshta nuk do të falet kurrë, por vizita e Scholz tregoi se si Ukraina ka ndryshuar rrënjësisht perspektivat.

Dhe Gjermania, pavarësisht gjithçkaje, ende e vlerëson aleancën britanike. 

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, akuzon Scholz-in se e vendos interesin vetjak gjerman mbi vuajtjet e Ukrainës.

“Nuk është zëri i biznesmenëve gjermanë apo i miliarderëve gjermanë ai që duhet të dëgjohet sot në Berlin. Është zëri i të gjitha grave dhe fëmijëve të pafajshëm, zëri i njerëzve të vrarë që duhet dëgjuar”, tha Morawiecki javën e kaluar.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, bën shpesh paralele me Luftën e Dytë Botërore.

Duke iu drejtuar Bundestagut muajin e kaluar, ai akuzoi Gjermaninë për dështimin për të marrë përgjegjësinë e saj pas Holokaustit për të siguruar që tmerre të tilla të mos përsëriten – dhe për qetësimin e Rusisë në të kaluarën përmes angazhimit ekonomik në kurriz të të drejtave demokratike.

“Çdo vit, politikanët përsërisin fjalët “kurrë më” dhe tani shohim se këto fjalë thjesht nuk vlejnë asgjë.

Në Evropë, një popull po shkatërrohet”, tha Zelenskiy. Në komentet e mëtejshme pasi u zbuluan mizoritë ruse në qytetin Bucha, ai sulmoi Angela Merkelin, paraardhësen e Scholz dhe ish-presidentin e Francës

“Ne nuk mund të vazhdojmë të financojmë sistemin e Putinit që po bën këtë luftë të tmerrshme”, tha për Politico Manfred Weber, kreu i Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian.

Në një votim simbolik që pasqyron tërbimin ndaj Moskës, parlamenti votoi të enjten për një embargo “të plotë dhe të menjëhershme” ndaj importeve ruse të energjisë.

Studimet tregojnë se Gjermania mund t’ia dilte më lehtë pa naftën dhe gazin rus sesa duket se mendon Scholz, dhe sondazhet tregojnë mbështetje në rritje për masa më të ashpra, pavarësisht dhimbjes që ato do të shkaktonin.

Edhe Emmanuel Macron, presidenti i Francës, i cili po lufton për jetën e tij politike në zgjedhjet e së dielës, tani mbështet një embargo.

“Ajo që sapo ndodhi në Bucha kërkon një grup të ri sanksionesh,” tha Macron. “Unë dua që ne të jemi në gjendje të veprojmë”, shtoi ai, “Franca do të “koordinohet me partnerët tanë evropianë, veçanërisht Gjermaninë”.

Ndoshta Macron, me një sy te votuesit, e priste këtë – dhe ishte i kënaqur që Gjermania të cilësohej si “i keqi”.

Është e vërtetë që Scholz ishte i ngadalshëm në vlerësimin e rrezikut të paraqitur nga Putini para luftës.

Ai refuzoi të furnizonte me armë Kievin. Është gjithashtu e vërtetë se pasi filloi pushtimi, ai pezulloi gazsjellësin Nord Stream 2, njoftoi një rritje të paprecedentë në shpenzimet e mbrojtjes dhe mbështeti sanksionet fillestare të BE-së dhe SHBA-së.

Megjithatë, javët e fundit, është gjithashtu e qartë se Gjermania, e cila varet nga Rusia për 55% të gazit të saj dhe 34% të naftës së saj, është zvarritur.

Pretendimet e atyre që ushqejnë armiqësi të vjetra janë se Gjermanisë i interesojnë më shumë paratë sesa vrasjet masive të padrejta.

Por Ukraina i ka dhënë një goditje tronditëse sistemit, duke u dhënë gjermanëve një ndjenjë, ndoshta, ashtu si u ndjenë grekët pas krizës së borxhit të vitit 2009.

Së pari, një politikë industriale e suksesshme e bazuar në energjinë e lirë është ‘djegur’ pothuajse brenda natës.

Së dyti, një politikë e jashtme e mbështetur në besimin se marrëdhëniet paqësore mund të sigurohen përmes tregtisë reciproke të dobishme tani është në rrënoja, së bashku me reputacionin e Angela Merkel. Veprimet e Putinit nuk bazohen në vlerësimet racionale të interesave më të mira të Rusisë. Përkundrazi, ato janë në thelb delirante, ideologjike dhe nacionaliste.

Marrëdhënia post-Ukrainë e Gjermanisë me Kinën, një tjetër regjim autoritar agresiv, ideologjikisht i drejtuar dhe partneri kryesor tregtar, tani është subjekt i një rishikimi të ngjashëm.

Së treti, përgjigja e saj ndaj Ukrainës ka ngritur një pikëpyetje të madhe mbi udhëheqjen gjermane në Evropë.

Në këtë moment të rrezikshëm, shtetet perëndimore dhe veriore të BE-së kërkojnë nga Berlini një qëndrim të qartë. Megjithatë, Evropa, nga përvoja e gjatë, e di se nuk mund të mbështetet plotësisht te francezët. Italia, Spanja dhe pjesa tjetër janë kryesisht kalimtarë. Dhe Britania e Johnson-it ka ngecur në një fantazi.

Ky është një moment që kërkon udhëheqje të guximshme dhe të arsyeshme. Scholz është jashtëzakonisht i ndjeshëm.  Tani ai duhet të jetë më i guximshëm.

Për hir të Ukrainës dhe Evropës, Gjermania duhet të luajë më në fund djalin e mirë dhe të heqë prizën nga Rusia.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mediat amerikane: 2022 mund të jetë një vit i ri për Evropën

“Një rrugë pa kthim, kundërshtimi i vlerave perëndimore”