MENU
klinika

Sa shpendë janë asgjësuar?

Gripi i shpendëve drejt izolimit: prej 31 marsit, asnjë vatër e re

05.04.2022 - 10:29

Nga data 19, me konfirmimin e rastit të parë me H5N8 në dy stabilimentet kryesore e deri më sot, janë identifikuar njëmbëdhjetë vatra në disa qytete të Shqipërisë. Përveç panikut që përfshiu konsumatorët dhe shpendërritësit, vendi ynë po përballet një faturë të lartë financiare. Së pari për shkak të ngordhjes së 560 mijë pulave në total, kompensimi i të cilave do të bëhet nga buxheti i shtetit, e më tej nga 2-fishimi i çmimit të pulave e vezëve me deficitin e krijuar në treg. Prej 31 marsit nuk është regjistruar asnjë vatër e re me grip shpendësh

Ndonëse me metoda primitive, groposja e gjysmë milioni shpendësh pretendohet të jetë kryer ndërkohë që pritet që vala e virusit të zhduket nga vendi ynë. Ajo çka është më e rëndësishme, konfirmon Ministria e Bujqësisë, në asnjë prej fermave që tregtojnë mishin e pulës nuk janë konstatuar infektime. “11 vatra janë aktive, të vogla, të lokalizuara, sa u përket pulave të ngordhura janë 560 mijë në total. Pjesa dërrmuese ka qenë te 2 stabilimentet e konfirmuara në Durrës.

Infektimet kanë ndodhur te stabilimente që prodhojnë vezë, në Durrës. Stabilimentet për mish janë të pastra dhe nuk kemi asnjë dyshim për 65 fermat që ndodhen në territorin e vendit”, deklaron zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi, e cila vijon të qetësojë konsumatorët duke thënë se derimë tani nuk ka asnjë provë se ky grip rrezikon njerëzit nëse konsumojnë produktet e shpendëve. “Nuk ka asnjë rast në botë që konfirmohet infektimi i qenieve njerëzore nga produktet e shpendëve, mishi apo vezët”.

Rastet e para të prekjes së shpendëve nga virusi, sipas fermerëve të dëmtuar datojnë në 7 mars, ndërkohë që u deshën gati dy javë që H5N8 të konfirmohej. Dyshimet e para ishin për trakeit, një sëmundje që dëmtonte rrugët e frymëmarrjes së shpendëve, por vetëm pas tri ditëve u konfirmua prezenca e gripit që po bënte kërdinë në shtetet fqinje. Dy stabilimentet kryesore që furnizonin me vezë gjithë vendin u shuan totalisht, ndërkohë që janë prekur jo pak pula oborri si dhe shpendë të egër. Këto të fundit u regjistruan në Divjakë e Korçë, raste që dyshohet të kenë shërbyer si premisë për infektimin në masë të fermave të mëdha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga çfarë duhet të keni kujdes!

Gripi i shpendëve, shkaqet dhe simptomat!

Asgjësohen rreth 10 ferma

Gripi i Shpendëve në Kosovë