MENU
klinika

Finalja e Conference League

“Në stadium si tifoz i Romës”, a do vijë Totti në Tiranë?

26.04.2022 - 13:58

“Unë shkoj në ‘Olimpico’ sepse jam tifoz i Romës dhe kjo më emocionon, asgjë tjetër”. Për të sqaruar rikthimin e tij të mundshëm te vedhekuqtë si menaxher ka menduar vetë Francesco Totti, protagonist dje me skuadrën e tij në “Natën e finaleve” të “Lega Calcio a 8”.

“Të shkoj në stadium dhe të ndjej dashurinë e tifozëve më jep emocione unike. Ndoshta do të shkoj edhe në ndeshjen ndaj Leicester”, – shtoi ish-kapiteni verdhekuq.

Një tifoz si të tjerët, por sigurisht i veçantë për Romën, që në përballjen e dyfishtë kundër anglezëve (të enjten, 28 prill, sfida e parë jashtë fushe) do të kërkojë kualifikimin për në finalen e “Conference League”, e cila do të zhvillohet më 25 maj në “Arena Kombëtare” të Tiranës:

“Mungon edhe një hap, tani jemi këtu. Shpresojmë ta arrijmë këtë qëllim”, – shtoi Totti, i cili më pas i përgjigjet duke buzëqeshur pyetjes nëse Mourinho është trajneri i duhur: “A doni të vini në diskutim edhe Mourinhon?!”

Më pas një parashikim për garën e kampionatit (“për mua fiton Interi”), përpara se t’i japë këshilla Zaniolos: “Ai duhet të rritet, me qartësi dhe qetësi. Pastaj gjërat vijnë vetë”.

Së fundi, një shaka për Pellegrinin, i cili trashëgoi shiritin e kapitenit te verdhekuqtë dhe është roman si ai: “Gjithmonë e kam thënë se ai ishte kapiteni i së ardhmes. Është një djalë i pastër dhe jam i lumtur që kaq shumë njerëz e kuptojnë dhe vlerësojnë.”