MENU
klinika

Tripleta e 19-vjeçarit shqiptar

Sulmuesi i Kombëtares U-21 i shënon 3 gola Romës

06.04.2022 - 20:26

Ai është kthyer në një nga emrat më interesantë mes futbollistëve të cilët po rriten në akademitë e futbollit italian. Sulmuesi 19-vjeçar Eljon Toçi po shkëlqen në radhët e skuadrës së të rinjve të Fiorentinës me paraqitjet dhe me golat e tij.

Toçi e ka ndihmuar këtë të fundit të shkojë në finalen e Kupës së Italisë. Sot, ai ishte vendimtar në duelin gjysmëfinal mes Fiorentinës dhe Romës, të mbyllur me shifrat 5-2, pasi tundi tre herë rrjetën e portës kundërshtare.

Në pjesën e parë, golat e Toçit në minutat 21 dhe 23 bënë që sfida të shkonte në shifrat 3-1 për ekipin e tij, ndërsa në pjesën e dytë të ndeshjes ai shënoi edhe golin e rezultatit të përkohshëm 4-1 për ekipin e tij.

Toçi do të provojë të fitojë trofeun në finalen ndaj Atalantës. Një sukses që ka qenë ogur i mirë për futbollistë të tjerë shqiptarë si Manaj me Interin, Strakosha me Lazion apo Asllani me Empolin, të cilët më pas janë bërë pjesë e Kombëtares A.