MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 29

Tirana pa mëshirë, Kastrioti mposht edhe Kukësin

16.04.2022 - 15:46

Tirana marshon e qetë drejt titullit kampion teksa ka fituar pastër dhe bindshëm me rezultatin 0-3 ndaj Egnatias në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës.

Sfida nisi vrullshëm për bardheblutë ku Redon Xhixha shënon nga “dhomat e zhveshjes” në sekondën e 24-të me një goditje mjaft të bukur në afërsi të zonës.

Goli i dytë u realizua nga kapiteni, Erjon Hoxhallari, i cili realizoi një “perlë” nga goditja e dënimit duke e dërguar topin drejt e në trekëndësh.

Goli i tretë dhe i vulosjes së takimit, u shënua nga Filip Najdovski, i cili pas një ngatërrimi në zonë nga një harkim nga goditja e këndit, shënoi golin që i vendosi “kapakun” ndeshjes.

Me këtë fitore, Tirana i afrohet edhe më shumë titullit kampion, teksa renditet e para duke koleksionuar 66 pikë, +19 nga Laçi i vendit të dytë që kanë një ndeshje më shumë për të zhvilluar.

Skuadra më në formë e Superligës është Kastrioti, teksa sot siguroi fitoren e pestë radhazi, duke mposhtur 1-0 Kukësin në Kamëz. Një sukses që shpëton njëherë e mirë skuadrën krutane, ndërsa u rrezikon vendin e tretë verilindorëve.

Krutanët fituan falë golit të Grecës, duke u ngjitur në kuotën e 37-të pikëve. Skuadra e Longos, në krahun tjetër regjistroi një tjetër rezultat negativ, duke rrezikuar ndjeshëm Europën.

Vlen të theksohet fakti se Kukësi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 8-të me Mustën por goli u anulua me VAR. Gjithashtu verilindorët goditën dhe 2 herë shtyllën në pjesën e dytë, por kjo nuk mjaftoi për të marrë pikë.