MENU
klinika

Formula 1

Verstappen parakalon Leclerc, nesër duel Red Bull-Ferrari

23.04.2022 - 17:42

Piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, fitoi sot pasdite “garën sprint” të zhvilluar në pistën italiane të Imola. Kampioni i botës në Formula 1 arriti të triumfojë falë një parakalimi që i bëri kryesuesit të këtij botërori, Charles Leclerc me Ferrari, dy xhiro nga fundi.

Kjo ishte gara e parë sprint e këtij sezoni. Piloti i Ferrarit u rendit i dyti, ndërsa i treti u klasifikua Sergio Perez me makinën tjetër Red Bull. Një garë (100 km e gjatë) që nisi jo mirë për Verstappen, i cili u nis nga “pole”, por e humbi kryesimin që në kthesën e parë, pasi u parakalua nga Leclerc.

Ai e ruajti kreun deri dy xhiro nga fundi dhe më pas e dorëzoi atë në favor të holandezit. Duket se holandezi menaxhoi më mirë gomat dhe ishte më i shpejtë në xhirot e fundit. I katërti doli Carlos Sainz me makinën tjetër Ferrari, ndërkohë që pikë në këtë “garë sprint” marrin 8 pilotët e parë.

Zhgënjen sërish makina Mercedes, në vendet 11 dhe 14, respektivisht me George Russell dhe Leëis Hamilton, larg më të mirëve dhe jashtë zonës së pikëve. Të dielën do të zhvillohet gara “normale”, me 63 xhiro dhe pilotët do të renditen në start në bazë të klasifikimit në garën e sotme sprint.