MENU
klinika

Çfarë ju duhet

Kredi e butë, për shtëpi: kush përfiton?

03.05.2022 - 16:45

Pas mbylljes së Sporteleve, për të përfituar kredinë e butë pranë Entit Kombëtar të Banesave, qytetarëve do t’u duhet të aplikojnë online në e-Albania. Të gjitha familjet që kanë nevojë për strehim, por nuk kanë mundësi financiare, mund të aplikojnë për subvencionin e interesave të kredisë në e-Albania, dhe në sistemin e banesave sociale ngarkohet dokumentacioni përkatës.

Ndryshimet e reja në vendimin “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet, që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti”, të publikuar në fletoren zyrtare janë të listuara familjet që kanë mundësi të përfitojnë dhe kush i miraton listat.

Lista e familjeve aplikuese që shpallen fitues për subvencionimin e interesave të kredisë miratohet me vendim të këshillave bashkiakë. Më pas lista kalon fazat e tjera me plotësimin e dokumentacionit për të përfituar kredinë e butë.

Dokumentet që duhet të dorëzojnë familjet janë:

a) vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit;

b) vërtetimin nga bankat për gjendjen e llogarive dhe të depozitave të familjes/individit;

c) dokumentin e lëshuar nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore për dhënien e statusit të individit/familjes që përfiton për subvencionimin e kredisë;

ç) certifikatën e gjendjes familjare;

d) adresën e banesës dhe emrin e pronarit të banesës.

Ndërsa listat e familjeve që kanë qenë qiramarrës në një ish-pronë private dhe që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0%, miratohen me vendim të komisionit të kredisë pranë Entit Kombëtar të Banesave, dhe jo me vendim të Këshillit Bashkiak. Aplikimi për këtë kategori bëhet në sistemin e Entit Kombëtar të banesave po në e-Albania.

Dokumentet që duhet të dorëzojnë kjo kategori familjesh janë:

i. Autorizim ose dokument të lëshuar nga ish-Komiteti Ekzekutiv i lagjes/Këshilli Popullor i lagjes;

ii. Certifikatë apo vërtetim pronësie në favor të pronarit ose vendim gjykate, në të cilin vërtetohet se prona i është kthyer pronarit të ligjshëm dhe qytetari është i pastrehë; vërtetim negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përkatëse, që, në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, sipas certifikatës të gjendjes familjare të datës 1.12.1992, nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi;

iii. Vërtetim nga organet tatimore se asnjë anëtar i familjes, që përfiton kredi të lehtësuar, nuk është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, si biznes i madh;

iv. Certifikatë e gjendjes familjare të datës 1 dhjetor 1992 dhe ajo aktuale; v. Adresa e banesës dhe emri i pronarit të banesës.

Një tjetër ndryshim i botuar në fletoren zyrtare, u jep mundësinë të përfitojnë, edhe familjeve të punonjësve që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës. Këto familje, nëse shpallen fituese e kanë normën e interesit 0%.

Dokumentet që duhet të dorëzojnë kjo kategori familjesh janë:

i. Certifikatë e gjendjes familjare aktuale;

ii. Vërtetim negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës e vendit ku banojnë, që, në emër të kryefamiljarit dhe të anëtarëve të tjerë të familjes, nuk figuron pronë e regjistruar apo në proces regjistrimi;

iii. Lista e miratuar nga Ministria e Brendshme dhe e shoqëruar me dokumentacionin e plotësuar i përcillet Entit Kombëtar të Banesave, i cili shqyrton dokumentacionin për të vazhduar me procedurat e kreditimit.”.

Individët dhe familjet e miratuara nga këshilli bashkiak duhet të kujdesen për gjetjen e blerjen e një banese në treg të lirë, brenda 18 muajsh nga 6 muaj që ishte më parë.

Ndërsa familjet që përfitojnë kredi me 0% interes nuk kanë afat por duhet të kujdesen për gjetjen e blerjen e një banese në treg të lirë. Këto familje vazhdojnë të qëndrojnë në listë pritjeje deri në kryerjen e procedurave të kreditimit dhe të lidhjes së kontratës me institucionin financiar për përfitimin e kredisë.

Në vendimin e ndryshuar janë shtuar edhe 2 raste të reja kur mund të prishet kontrata e subvencionimit të interesave.

Kur konstatohen:

a) se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar;

b) falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme.

c) mangësi apo të meta në dokumentacionin e dosjes së familjes përfituese

ç) subvencionimi i interesave ndërpritet edhe në rastet kur të ardhurat e individit/familjes, që nga momenti i miratimit të tij nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe deri në miratimin e kredisë nga institucioni financiar janë rritur më shumë se 1/2 e të ardhurave fillestare.

Vlera maksimale e kredisë që përfiton përllogaritet në bazë të sipërfaqes së apartamentit shumëzim me vlerën mesatare të apartamenteve në treg. Si shembull për vlerën që përfitohet janë vendosur të dhënat e bashkisë Tiranë për këtë proces, ku një metër katror kushton 89.137 lekë.

Konkretisht një familje 1-2 persona merr garsoniere me sipërfaqe 45 metër katror, dhe vlera e përfitimit arrin rreth 4 milionë lekë. për familjet me 3 anëtar përfitohet apartament 1+1 me sipërfaqe 55 metra dhe vlera e kredisë që përfiton arrin 4.9 milionë lekë.

Familjet me 4 anëtarë marrin apartament 2.+1 me sipërfaqe 81 metër katror dhe vlera totale e kredisë arrin 7.2 milionë lekë . Rasti i fundit është kur familja është 5-6 persona, që përfitojnë shtëpi 3+1 me sipërfaqe 100 metra dhe shuma maksimale e kredisë që mund të marrin është 8.9 milionë lekë.

FAMILJET PËRFITUESE NGA KREDIA E BUTË

1-2 persona 45 m2 4 mln lekë

3 persona 55 m2 4.9 mln lekë

4 persona 81m2 7.2 mln lekë

5-6 persona 100 m2 8.9 mln lekë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga pezullimi i faturave tek komitetet e posaçme

Cilat janë 20 propozimet zyrtare të biznesit për qeverinë?

40 menyra për t'ja dalë mbanë

Doni të kurseni, por nuk dini se si?

Masat që duhen marrë për rimëkëmbje

FMN vlerëson masat, por jep edhe ‘detyra shtëpie’