MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 34

Tirana s’fal Vllazninë, nuk gabon Partizani, bie Dinamo

14.05.2022 - 19:16

Tirana, pasi ka festuar titullin kampion në derbi ndaj Partizanit, nuk ka falur edhe ndaj Vllaznisë. Bardheblutë fituan 3-1 në kryeqytet në të ashtquajturën klasike të futbollit shqiptar.

Partizanit i ka mjaftuar vetëm një gol në Rrogozhinë ndaj Egnatias vendase, duke rimarrë vendin e tretë në kampionat. Ndërsa Kukësi përmbysi 2-1 Dinamo, duke lëshuar blutë në Kategorinë e Parë. Kukësi ngjitet i katërti, por ende jo në Evropë. Dy ndeshjet e tjera përfunduan: Skënderbu-Laci 1-2 dhe Kastrioti-Teuta 0-1.

Në “Selman Stërmasi” Sfida u zhbllokua që në minutën  e 8-të me Seferin, që vijon luftën për shënuesin më të mirë të Superiors. Fati do ishte me djemtë e Plorit në minutën e 24-të, pasi Zhivanaj realizoi në portën e gabuar.

Gjithsesi, brenda pjesës së parë, Totre bëri gjithçka mirë, duke çuar bardheblutë të qetë në dhomat e zhveshjes. Goli i qetësisë erdhi sapo filloi fraksioni i dytë, me Xhixhën. Kështu, të besuarit e Shehit marrin 3 pikë pa vlerë, ndërsa rruga Europë e Vllaznisë komplikohet edhe më shumë pasi janë të pestët.

Në Rrogozhinë, heroi i të kuqve ishte Rrapaj, në shtesën e pjesës së parë. Futbollistët e Mehmetit e shohin veten në vendin e 3-të me 52 pikë. Egnatia tani do luaj në Play out.

Në “Kukësi Arena” të besuarit e Vanolit filluan të besonin te mbijetesa pas golit të Demirit në të 53-tën nga distanca, por ëndrra nuk zgjati shumë, pasi verilindorët “tundën rrjetën” me Lulajn në të 66-tën dhe në fund.

Pa asnjë objektiv ishte takimi mes Skënderbeut dhe Laçit. Korçarët kanë rënë nga kategoria, ndërsa laçianët kanë siguruar me kohë vendin e dytë. 90 minutëshi në Korçë përfundoi 1-2, me gol të Pusit për vendasit dhe Guindo dhe Turkaj për mysafirët.

Kastrioti dhe Teuta u përplasën pa presionin e pikëve, pasi Europa është larg, ndërsa zona e rënies edhe më larg. Ndeshja në Kamzë u mbyll 0-1 dhe u vendos nga Hebaj, në minutën e 77-të.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN