MENU
klinika

Pas takimit me pronarin

Zidane te PSG si trajneri më i paguar në botë

31.05.2022 - 15:13

Takimi ballë për ballë mes presidentit të PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, dhe trajnerit francez Zinedine Zidane tashmë ka ndodhur. Një takim që u zhvillua duke përfituar nga qëndrimi i Zidane në kryeqytetin parizien për të ndjekur ‘live’ finalen e Champions League të së shtunës së kaluar.

Një takim i zhvilluar të hënën, që ka lënë ende gjëra për t’u mbyllur përpara një marrëveshjeje të mundshme dhe përfundimtare mes dy palëve. Një takim ku klubi parizien ka hedhur në tavolinë ofertën që ish-trajneri i Real Madridit të marrë drejtimin e skuadrës pariziene.

Propozimi është rreth 25 milionë euro neto në sezon. Kjo do ta vendoste trajnerin francez si më të paguarin në botë, mbi Diego Simeone, i cili aktualisht merr 24 milionë në sezon, apo 23 milionët e Pep Guardiolës.

Një shumë që nënkupton praktikisht dyfishimin e pagës që ai merrte në fazën e fundit në krye të Real Madridit, kur nënshkroi një kontratë me një normë fitimi prej 13 milionë euro neto për sezon. E vërteta është se nga ky takim nuk ka dalë asgjë e sigurt dhe të dyja palët kanë rënë dakord që nëse është e nevojshme të takohen sërish për të vazhduar avancimin.

Zidane vazhdon të shohë si opsionin e tij kryesor mundësinë për të marrë drejtimin e kombëtares franceze pas Kupës së Botës në Katar. Një vendim i bazuar në kritere profesionale dhe personale. Marrja e postit të trajnerit të “Les Blues” do t’i lejonte Zidane të qëndronte në Madrid dhe të udhëtonte në Francë vetëm për grumbullime e turne të ndryshëm përzgjedhës.

Pasi francezi është kthyer në Spanjë, ka nisur një periudhë pushimesh në ishullin Ibiza, vendi ku do ta vlerësojë ofertën dhe propozimin e PSG për të marrë drejtimin e kësaj skuadre, që ka si referencë të re Kylian Mbappe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN