MENU
klinika

Liga e Kombeve

Bie Kosova, dopietë e Ronaldos, ndalet Spanja

05.06.2022 - 22:44

Pas fitores në Qipro, Kosova ka humbur në shtëpi 0-1 me Greqinë, një rival direkt në grup. Miqtë shënuan në stadiumin e Prishtinës në minutën e 36-të dhe e mbrojtën këtë gol.

Pjesa e dytë e ndeshjes do të rezultonte më fatale për Kosovën, që përveçse nuk ia doli të barazonte, e mbylli takimin me dy lojtarë më pak. Në minutën e 72’ Aliti do të dilte nga fusha e lojës, i cili pas një ndërhyrje të gabuar mori kartonin e dytë të verdhë.

Ndërsa në minutën e 90+1’ ishte portieri Muriç ai që do të ndëshkohej me të kuq dhe të linte fushën e lojë. Deri më tani në Nations League Kosova ka marrë një fitore ndaj Qipros me rezultatin 0-2 dhe një humbje ndaj Greqisë me rezultatin 0-1.

Ndërsa në vijim gjatë muajit qershor “dardanët” do të ndeshen në shtëpi me Irlandën e Veriut më datë 9 dhe në transfertë ndaj Greqisë më 12 qershor. Ndërsa ndeshja tjetër e grupit ajo mes Qipros dhe Irlandës së Veriut është mbyllur me barazimin 0-0.

Në të dytën ndeshje në Ligën e Kombeve, Spanja ndalet në barazim, teksa pas rezultati 1-1 ndaj Portugalisë, nuk shoi dot përtej shifrave 2-2 në transfertën ndaj Republikës Çeke. Si zakonisht, iberikët dominuan me lojë e raste, por e panë veten dy herë në disavantazh dhe barazuan fillimisht me Gavin e më pas me Inaki Martinez.

E nëse Spanja ngec sërish, nuk gabon Portugalia, që ia doli të triumfojë me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Zvicrës. Serinë e golave për luzitanët e hapi Carvahlo, ndërsa më pas ishte Cristiano Ronaldo që shënoi dy herë brenda pak minutash dhe mbylli llogaritë e sfidës.

Në pjesën e dytë vendosi emrin në listën e golashënuesve edhe Joao Cancelo, ndërsa dyshja Xhaka-Shaqiri nuk arritën të bëjnë asgjë për Zvicrën, ndonëse e nisën si titullarë. Pas dy ndeshjeve të para, Portugalia dhe Republika Çeke kryesojnë grupin me nga 4 pikë, të ndjekura nga Spanja me dy pikë dhe Zvicra e fundit me një pikë.

Në Ligën B, Serbia ia doli të triumfojë në derbin ballkanik ndaj Sllovenisë me rezultatin 4-1, ndërsa Norvegjia fitoi derbin skandinav ndaj Suedisë 1-2, falë një dopiete të yllit të skuadrës, Erling Haaland.

Në Ligën C Maqedonia e Veriut ia doli të triumfojë me shifrat 0-2 në transfertën ndaj Gjibraltarit, teksa goli i parë ishte tërësisht shqiptar, me asistin e Alioskit dhe finalizimin e Enis Bardhit. Po në këtë Ligë, Gjeorgjia befasoi Bullgarinë në Sofje, duke triumfuar me rezultatin 2-5.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN