MENU
klinika

Arsyeja

Jep dorëheqjen zyrtarja e dytë më e lartë e Facebook-ut, Sheryl Sandberg!

03.06.2022 - 10:40

Sheryl Sandberg, drejtuesja e dytë më e lartë e Facebook-ut, që tani është në pronësi të kompanisë Meta, njoftoi dorëheqjen nga posti i saj. Zonja Sandberg ka ndihmuar në transformimin e Facebook-ut nga një kompani e vogël interneti në një gjigant të reklamave digjitale, duke bartur gjithashtu fajin për disa nga gabimet më të mëdha në këtë rrugëtim.

Sandberg ka shërbyer si drejtore ekzekutive e operacioneve në gjigantin e mediave sociale për 14 vjet. Në vitin 2008, ajo u largua nga kompania Google për të filluar punën në Facebook, katër vjet përpara se platforma e mediave sociale të bëhej kompani publike. Kompania Meta nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ për koment.

Në një shkrim të zonjës Sandberg në faqen e saj të Facebook-ut thuhet:

Kur fillova këtë punë më 2008, shpresova që të qëndroja në këtë rol për pesë vjet. Katërmbëshjetë vjet më vonë, ka ardhur koha për të nisur një kapitull të ri në jetën time.

Sheryl Sandberg ka udhëhequr biznesin e reklamave të Facebook-ut, që tani kontrollohet nga Meta dhe ishte përgjegjëse për transformimin e tij në një kompani të fuqishme me të ardhura vjetore prej mbi 100 miliardë dollarësh. Rikujtojmë se Sheryl Sandberg ka sugjeruar se Rusia dhe Ukraina nuk do të ishin në luftë nëse do të drejtoheshin nga gra. Sheryl tha për CNBC se:

Asnjë shtet i drejtuar nga gratë nuk do të shkonte kurrë në luftë. Nëse gjysma e botës do të drejtohej nga gratë, bota do të ishte më e sigurt dhe shumë më e begatë. Në ditët e para të pandemisë së koronavirusit, vendet e udhëhequra nga gratë, si Zelanda e Re, performuan më mirë se homologët e tyre të drejtuar nga meshkujt. Megjithatë, pandemia ka ngritur një sërë sfidash për barazinë gjinore. COVID ishte një krizë e plotë për barazinë gjinore. COVID ka zhdukur tri dekada e gjysmë përparim për gratë. Gratë po largohen nga fuqia punëtore për shkak të një ekuilibri të pabarabartë të punës në shtëpi.

Sjellim në vëmendje se Facebook në tremujorin e parë të vitit 2022 ndërmori veprime për 1.8 miliardë përmbajtje spam, nga 1.2 miliardë në tremujorin e katërt të 2021, por edhe në 21.7 milionë përmbajtje dhune, nga 12.4 milionë në tremujorin e katërt të 2021. Kompania e shpjegon këtë në raportin e saj periodik për zbatimin e standardeve të komunitetit, duke specifikuar se rezultati është për shkak të përmirësimit dhe zgjerimit të teknologjisë së sensorit proaktiv.