MENU
klinika

ANALIZË EKONOMIKE

Rekord (pas-rekordi) Ndërtimesh

03.06.2022 - 14:35

Igli TOLA 

Vetëm në tre-mujorin e parë të këtij viti u miratuan plot 112 leje të reja ndërtimi, me sipërfaqe totale prej 800.375 m2. Gati dyfish krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kemi që nga 2018 ku çdo vit jepen mbi 1 milionë m2 leje ndërtimi, gjatë 2021 plot 1,65 milionë m2 përmes 267 lejeve të miratuara.

Si shpjegohet që vetëm këto vitet e fundit janë ndërtuar / po ndërtohen mbi 10 milionë m2, kur?

– Vitin e fundit popullsia e Tiranës u rrit me vetëm 6 mijë banorë, ritmi më i ulët i rritjes ndonjëherë; kur gjatë 2001-2015 kryeqyteti shtohej me 16-17 mijë banorë të rinj në çdo vit. Trendi u vërejt edhe gjatë 2017-2018; ku rritja demografike e Tiranës arriti afro 21 mijë banorë.

Ky volum ndërtimi duket se po përgatitet të strehoj mesatarisht 250.000-300.000 qytetarë të rinj në Tiranë !!

– Ekonomia jonë, sikundër ajo globale u impaktua pothuajse në çdo sektorë të saj nga kriza pandemike dhe tani së fundmi nga kriza e prodhuar nga konflikti Ruso-Ukrainas. Përgjatë 2019-2020 rritja ekonomike ishte minimale dhe për muaj të tërë pati pezullim aktiviteti nga shumë subjekte. Norma e fallimentit në industri specifike arriti shifra rekord. Ndërsa viti aktual shihet akoma më sfidues; përfshirja në vorbullën ‘Stagflacioniste’ duket skenari më i besueshëm: rritja ekonomike parashikohet në regres 2-3% dhe inflacioni priret mbi 6-10%.

Habia qëndron në faktin se: lënda e parë në këtë industri (hekur, çemento etj) është shtrenjtuar disa-fishuar, karburantet po ashtu ; Institucionet publike (BSH) duke marrë vendim për të rritur normën bazë të interesit, tenton të japë mesazh për ‘frenim’ të kreditimit-investimeve.

– Kujtojmë këtu se Shqipëria ka bërë hapa prapa duke u përfshirë sërish në listën gri të MoneyVal për mangësitë në luftën kundër pastrimit të parave, teksa ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme evidentohen si sektorët më me risk.

Gjithashtu, sipas raportit Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Kufitar, ku merr në analizë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, rreth 141 kompani në këto vende që kanë marrë leje ndërtimi për ndërtesa mbi 6 kate për periudhën 2017-2019, nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar këto investime.

Kush po ndërtohet, pse po ndërton dhe për kë po ndërton?!

PhD (c). Ll.M. Igli TOLA

Pedagog, ekspert ekonomie

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


ANALIZË EKONOMIKE

Paketa e duhur për Krizën