MENU
klinika

Volejboll Meshkuj

Shqipëria mund Maqedoninë, hyn në garë për kualifikim

01.06.2022 - 23:30

Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për meshkuj fitoi mbrëmjen e sotme 3-1 ndaj Maqedonisë së Veriut, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B të Ligës së Argjendtë.

Ndeshja mes dy shteteve fqinje u zhvillua në Shkup, aty ku kuqezinjtë e trajnerit Jani Melka korrën fitoren e parë në grup dhe hyjnë në garë për kualifikim. Ndeshja në përgjithësi ishte e ekuilibruar, me kuqezinjtë që tregohen më të kujdesshëm, duke fituar 25-23 setin e parë.

Në të dytin vjen kundërpërgjigjja e vendasve, që janë më superiorë e fitojnë 25-20. Gjithsesi, Shqipëria nuk dorëzohet dhe komandon në fushë në setin e tretë, ku fiton pa probleme 25-17.

Loja bëhet sërish interesante në setin e katërt, por pas shumë barazimesh kuqezinjtë shkëputen e fitojnë 25-22 e krejt takimin 3-1. Tri pikë të arta për Shqipërinë, që barazon pikërisht maqedonasit në vendin e dytë me 4 pikë. Në krye të renditjes, me 9 pikë, është Rumania, që sot mundi 3-0 Bosnjë-Herzegovinën.