MENU
klinika

Detajet e panjohura

Yuri Kim pret në Ambasadë ish-ministrat e Jashtëm!

10.06.2022 - 07:59

Ata që ndër vite drejtuan diplomacinë shqiptare duke kontribuar në kohë dhe situata të ndryshme për arritjet e vendit tonë përgjatë 30 viteve të fundit u bën bashkë në 100- vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, priti në një darkë të veçantë në “Shtëpinë Ryerson” të gjithë ishministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991. Në këtë darkë ishin të ftuar mes të tjerëve edhe kreu i shtetit Ilir Meta, si dhe ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në ambientet e ambasadës amerikane në Tiranë, Presidenti Ilir Meta, i cili mbërriti i pari, ishte i ftuar në cilësinë e ish-ministrit të Jashtëm gjatë viteve 2009-2010 dhe 2002– 2003. Në takim mori pjesë edhe ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, një dalje e cila pasohet pas asaj me ambasadorin britanik në Tiranë. Basha ka shërbyer si ministër i Jashtëm në periudhën kohore 2007- 2009.

“Le të kujtojmë gjërat që na mbajnë bashkë”, komentoi ambasadorja amerikane në foton kolektive pas takimit me ishministrat e Jashtëm shqiptarë.

Në tryezën e organizuar me rastin e festimeve për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, diplomatja amerikane uli krah saj Presidentin e Republikës Ilir Meta, si dhe ish-ministrin socialist Ditmir Bushati. Në pamjet e shpërndara nga ambasada amerikane në Tiranë, shihet se Basha dhe Meta nuk kanë kryqëzuar as shikimet me njëri-tjetrin.

Ndërkohë që në tryezën e darkës, Lulzim Basha është ulur në krah të ish-ministrit socialist Kastriot Islami, së fundmi ish-deputet i PD-së, si dhe ish-ministrit të LSI-së, Edmond Haxhnasto. Protokolli i Ambasadës ka parashikuar uljen e ish-krerëve të diplomacisë sipas kronologjisë që kanë shërbyer ndër vite.

Mësohet se i ftuar ka qenë dhe Besnik Mustafaj, i cili nuk ka marrë pjesë në këtë takim. Ajo që vihet re te pamjet e shpërndara nga ambasada në FB, është se ish kreu i PD-së Lulzim Basha shihet teksa bisedon me socialistët, ministren Olta Xhaçka, Ditmir Bushatin dhe Arta Daden, e cila i qëndroi besnike simbolikës socialiste me xhaketën e kuqe, ndërsa në fotot zyrtare, Basha ka dalë në fund të rreshtit, pas të gjithëve, krah Edmond Haxhinastos dhe Aldo Bumçit.

Arjan Starova ka sjellë dhe një shishe verë për ambasadoren. Një tjetër simbolikë ishte dhe kostumi i bardhë i zonjës Yuri Kim.

“Si pjesë e festimeve tona për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ambasadorja Yuri Kim pati nderin të ftojë të gjithë ministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991, për një darkë të veçantë në ‘Shtëpinë Ryerson’. Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e dhëna nga secili prej ministrave në zhvillimet dhe arritjet historike të Shqipërisë, përfshirë përparimin e tranzicionit nga komunizmi në demokraci, rrugëtimin e Shqipërisë në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, kryesimin e OSBE-së dhe sigurimin e një vendi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mbi të gjitha, ajo falënderoi ministrat për rolin e tyre në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke kujtuar se të gjithë ata – diplomatë amerikanë dhe shqiptarë – kanë fatin që të mund të ndërtojnë mbi punën e paraardhësve dhe detyrimin për të hedhur bazat për pasardhësit e tyre.

Përgëzime për miqësinë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë! Gëzuar, edhe njëqind! Grupi ngriti gjithashtu edhe një dolli për të nderuar ata të cilët nuk mundën t’i bashkoheshin mbrëmjes, Muhamet Kapllani, Alfred Serreqi, Besnik Mustafaj dhe Gent Cakaj”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë. Ajo që mori vëmendjen e kësaj darke ishte rikthimi në ambasadën amerikane të Presidentit Ilir Meta.