MENU
klinika

Lë pas humbjet gjatë pandemisë

Nuk ka krizë për NBA, rekord të ardhurash

15.07.2022 - 19:05

Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, në konferencën e përvitshme të mbylljes së sezonit (2021-2022), ka bërë me dije se të ardhurat e gjeneruara këtë vit kanë arritur shifra rekord. “Numrat më kanë befasuar në një farë mënyrë, pasi kanë tejkaluar parashikimet tona”, tha Silver.

“Fitimet kanë kaluar shifrën e 10 miliardë dollarëve dhe natyrisht që ky është një rekord për NBA. Mendoj se kjo shumë është e jashtëzakonshme kur mendon se vinim nga një periudhë e vështirë, se ku ishim dy vite më parë”, tha më tej Adam Silver.

“E ardhmja e këtij sektori ishte në dyshim, kryesisht për shkak të pandemisë, që vuri në dilemë shumë gjëra. Por edhe të personave që pyesnin nëse kishin ende dëshirë të vazhdonin të mblidheshin në stadium për të parë ndeshjet. Ne e përmbushëm në mënyrën më të mirë të mundshme misionin tonë”, tha Silver.

NBA pati një rënie drastike të të ardhurave në sezonin 2019-2020, i ndërprerë në mes dhe rinisur në formë grumbullimi në Orlando. Sezoni 2020-2021 nisi i cunguar me ndeshje dhe stadiume bosh, që gradualisht u hapën pjesërisht. Ndërsa sezoni i fundit riktheu normalitetin dhe kjo u pa te të ardhurat, që kapën shifrën rekord.

“Pas këtij sezoni dhe duke parë të ardhurat, ne jemi besimplotë se në vitet që pasojnë të ardhurat do të rriten me 30% krahasuar me sezonin që sapo mbyllëm. Ne shohim gjithnjë me optimizëm përpara”, – u shpreh Adam Silver.