Çështjet ligjore të Ricky Martin sa vijnë e shtohen.
Disa ditë pasi ish-menaxherja e tij e hodhi në gjyq me një padi prej 3 milionë dollarësh, Ricky po përballet me një urdhër ndalimi të dhunës në familje. Sipas “Associated Press”, urdhri u lëshua nga një gjykatës portorikan, por autoritetet thonë se ata ende nuk e kanë kapur artistin.
“Deri më tani, policia nuk ka qenë në gjendje ta gjejë atë,” tha zëdhënësi i policisë Axel Valencia.
Identiteti i viktimës nuk është konfirmuar; megjithatë, disa media raportojnë se Martin ishte në lidhje me viktimën e supozuar për shtatë muaj dhe u nda vetëm disa muaj më parë. Këto detaje sugjerojnë se akuzuesi nuk është bashkëshorti i Martinit, piktori siriano-suedez Jwan Yosef. Të dy u martuan në vitin 2017 dhe kanë katër fëmijë së bashku.
Gazeta portorikane El Vocero mori një kopje të urdhrit, i cili pretendon se Martin nuk e pranoi ndarjen dhe ka kaluar dy muajt e fundit duke ngacmuar viktimën.
Sipas urdhrit, Martinit i ndalohet “të afrohet, ngacmojë, frikësojë, kërcënojë ose në ndonjë mënyrë tjetër të ndërhyjë në palën paditëse”. Atij i ndalohet gjithashtu komunikimi me paditësin, si dhe me punëdhënësin, familjen ose miqtë e tij.
Përfaqësuesi i Martin i mohoi akuzat, të cilat do të trajtohen në një seancë gjyqësore në 21 korrik.
“Akuzat kundër Ricky Martin që çojnë në një urdhër mbrojtjeje janë krejtësisht të rreme dhe të fabrikuara”, tha përfaqësuesi për TMZ. “Ne kemi shumë besim se kur të dalin faktet e vërteta në këtë çështje, klienti ynë Ricky Martin do të shfajësohet plotësisht.”