Edhe sot në Kapshticë ka pasur fluks të lartë të shqiptarëve që kthehen për pushime.
Pala shqiptare ka shtuar numrin e sporteleve nga 3 që ishin në fundjavë në 5, ndërsa ajo greke vijon të punojnë me dy.
“Kemi marrë pushimet dhe do rrimë dy javë në Pogradec. Kemi dhe shtëpitë ti shikojmë dhe për klimën.”
Në 24 orët e fundit përmes Pikës Kufitare të Kapshticës kanë hyrë në Shqipëri rreth 6.600 persona, ndërsa kanë dalë 4.400
Në Pikën kufitare të Kakavijë këtë të hënë ka më pak hyrje dhe dalje se në fundjavë. Vetëm në momentet kur kanë mbërritur autobusët ka pasur pak ngarkesë. Falë procedurave të përshpejtuara, qytetarët nuk ka pritur më shumë se 10 minuta.
Bëhet me dije se fluksi më i madh ka qënë gjatë fundjavës, me 16 mijë emigrantë dhe kanë lënë vendin tonë 8 mijë të tillë.
Në këtë pikë doganore si pala shqiptare dhe ajo greke punojnë me nga 3 sportele.
Java ka nisur me një fluks të lartë shqiptarësh që kthehen për pushime nga Italia me tragetin Brindisi-Vlorë.
“Vetëm gjatë ditës së sotme janë regjistruar rreth 1.020 persona që kanë hyrë nëpërmjet pikës së kalimit të kufirit në Portin e Vlorës.”
Zyrtari i Portit, Festim Skëndaj thekson se nga data 1 deri në 15 gusht ka një rritje me afro 40% të personave që janë kthyer në vendin tonë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Deri në këto momente kanë hyrë 23.000 persona dhe kanë dalë 8645 pasagjerë. Krahasur me gushtin e kaluar përgjatë gjithë muajit kemi pasur 25 mijë. Muaji do të mbyllet shumë pasagjerë se vjet.”
Veç shqiptarëve në Vlorë, kanë mbëritur dhe qindra shtetas italianë, që kanë zgjedhur të pushojnë në vendin tonë.