Nga Liana Fix & Michael Kimmag “Foreing Affairs”
Për herë të parë në luftën që po zhvillohet në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin duhet të përballet me perspektivën serioze të humbjes së saj. Dështimet e hershme në lidhje me Kievin dhe Chernigov, u kompensuan disi nga përparimet territoriale të rusëve në jug dhe në lindje.
Në këtë kuadër, ato mund të justifikoheshin si tërheqje taktike, pavarësisht nëse ishin të tilla vërtet apo jo. Ndërkohë, disfata e rëndë që pasoi ushtria ruse në rajonin e Kharkiv më 10 shtator – dhe çlirimi i shpejtë nga forcat ukrainase i një territori prej rreth 5200 km2 në lindje dhe jug – treguan qartazi se Ukraina ka marrë tashmë iniciativën dhe se trupat ruse mund të vazhdojnë që të bien pre e kundërsulmeve të tilla në të ardhmen.
Kundërofensiva e suksesshme e Ukrainës në Kharkiv, e rrëzoi iluzionin e pathyeshmërisë së ushtrisë ruse. Madje ajo ka paralajmëruar mbërritjen e një faze të re në pritshmëritë që ka Perëndimi. Papritur, udhëheqësit dhe strategët perëndimorë kanë nisur të mendojnë se Ukraina do të jetë në gjendje që ta fitojë këtë luftë.
Është e sigurt të thuhet se ky ndryshim do ta rritë mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Argumenti se Ukraina duhet të kërkojë sa më parë një marrëveshje për paqe, në vend se të vazhdojë të luftojë, është hedhur poshtë. Por perspektiva ka ndryshuar në një mënyrë më dramatike për Rusinë, dhe kjo sjell rreziqe të reja serioze si për Ukrainën ashtu edhe për Perëndimin.
Që nga dështimi për të pushtuar me shpejtësi Kievin në shkurt, Putini ka luajtur me 2 karta. E para është duke e zgjati luftën në maksimum, duke supozuar se ushtria e Ukrainës është më e dobët dhe se një luftë e tillë e favorizon Rusinë. E dyta është të sigurohet që shoqëria ruse të mbetet e izoluar nga lufta, me supozimin se mund të ruajë nivele të larta të mbështetjes së brendshme, për sa kohë që rusët e zakonshëm nuk janë të ekspozuar ndaj kostove të luftës.
Por sukseset e Ukrainës në fushën e betejës në Kharkiv, i kanë sabotuar këto llogaritje. Dhe tani Putin po përballet me një sërë zgjedhjesh të vështira. Ai mund ta mbajë të kufizuar angazhimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë, duke ruajtur nivelet aktuale të trupave në front, dhe duke vazhduar ta izolojë shoqërinë ruse, ose mund të urdhërojë një mobilizim masiv.
Secili nga opsionet përbën një kërcënim serioz për legjitimitetin e Putinit. Nëse zgjedh të parën, Putini do të hiqte dorë nga perspektiva e fitores së Rusisë, dhe do të rrezikonte disfatën e plotë. Forcat nacionaliste pro luftës që ai ka farovizuar, janë bërë gjithnjë e më të pakënaqura me zhvillimin e luftës. Atyre iu ishin premtuar territore të reja dhe lavdi në një fushatë ushtarake të shpejtë. Në vend të kësaj, kanë parë humbjet e mëdha të ushtrisë ruse dhe përparime territoriale të vogla, të cilat tani duken gjithnjë e më të pasigurta.
Vazhdimi i statuskuosë, mund të krijojë të çara të reja të rrezikshme në regjimin e Putinit.
Ndërkohë mobilizimi, do ta trondiste në rrënjë menaxhimin e kujdesshëm të luftës nga Kremlini në sytë e opinionit rus. Mobilizimi i përgjithshëm, mund të duket një zgjedhje logjike për një vend me një popullsi 3 herë më e madhe se ajo e Ukrainës.
Por popullariteti i luftës është varur shumë nga fakti që ka qenë larg. Edhe terminologjia ruse për luftën, “operacion special ushtarak”, ka qenë një mjegullim i qëllimshëm i konfliktit. Pavarësisht retorikës së Kremlinit për “de-nazifikimin” e Ukrainës, për popullatën ruse lufta në Ukrainë është krejtësisht e ndryshme nga lufta ekzistenciale që përballoi Rusia në Luftën e Dytë Botërore.
Ndaj duke shpallur mobilizimin e përgjithshëm, Kremlini do të rrezikonte kundërshtimin e brendshëm ndaj një lufte, për të cilën shumica e rusëve nuk janë të përgatitur të luftojnë.
Sigurisht, Putini mund të mos zgjedhë asnjërin nga këto opsione. Ai mund të përpiqet të ndryshojë ekuilibrat në front, duke gjetur një rrugë të mesme midis mobilizimit të plotë dhe vazhdimit të statuskuosë.
Edhe pse vetë quhet si një “njeri i veprimit”, Putin priret të jetë i pavendosur kur rreziqet në një situatë janë shumë të larta, duke preferuar të hyjë në disa situata pa i zgjidhur ato. Në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë, Rusia u zhvendos në Ukrainën Lindore, nënshkroi një marrëveshje diplomatike, dhe më pas qëndroi aty për vite të tëra, duke mos përparuar dhe as duke u tërhequr.
Cilado qoftë lëvizja e ardhshme e Putinit, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë që ta furnizojnë ushtrinë ukrainase me mjetet që i nevojiten më shumë për të vazhduar kundërsulmin. Por nga ana tjetër, duhet të marrin në konsideratë pasojat më të gjera për një regjim që mund të përballet me presion në rritje në vend, teksa po kërkon mënyra të reja për t’i shkaktuar dhimbje maksimale Ukrainës dhe aleatëve të saj.
Për Putinin, kohët e dëshpëruara nuk do të kërkojnë marrjen e masave të arsyeshme. Edhe një mobilizim i pjesshëm i urdhëruar nga Kremlini, do të nënkuptonte pranimin se vendi është në luftë. Dhe kjo do ta bënte këtë luftë ekzistenciale për Rusinë. Një vendim i tillë do ta bënte ndoshta të papranueshme humbjen për udhëheqjen ruse. Dhe kjo gjë e ka bërë edhe më të pamundur perspektivën e një rezultati të negociuar të kësaj lufte.
Dilema politike me të cilën përballet Putini në lidhje me mobilizimin, lidhet drejtpërdrejt me natyrën e luftës. Historikisht, Rusia është dëshmuar si një kundërshtare e frikshme kur është sulmuar nga forcat e jashtme. Kur zgjodhën të pushtonin Rusinë, si Napoleoni po ashtu edhe Hitleri, e nënvlerësuan thellësinë e territorit dhe vendosmërinë e forcave ruse.
Por ashtu si SHBA-ja dhe shumë vende të tjera, Rusia ka hasur shumë vështirësi me luftërat e nisura prej saj. Këtë e tregoi lufta ruso-japoneze e vitit 1905 dhe pushtimi sovjetik i Afganistanit në vitin 1979. Për Ukrainën dhe Perëndimin, mobilizim i përgjithshëm në Rusi do të shkaktonte në fillim një tronditje psikologjike. Pasi do t’i duhet edhe një herë të vlerësojë gjendjen e tij shpirtërore dhe potencialin për një përshkallëzim të madh të konfliktit.
Një tjetër opsion në dispozicion të Putinit, është një formë tërheqjeje. Duke zgjedhur këtë të fundit, ai do të detyrohej të hiqte dorë nga perspektiva e një fitoreje të vërtetë. Pra mund të synojë të vazhdojë luftën, duke e reduktuar angazhimin ushtarak në minimumin e nevojshëm për të mbajtur territorin e fituar tashmë në lindje dhe jug.
Pra Putin mund t’i kthehet qasjes së tij të vitit 2014 në Ukrainën Lindore, duke mbajtur territorin e pushtuar nën kontrollin rus, por pa përparime, duke destabilizuar kështu të gjithë vendin, por me një prani shumë më të madhe ushtarake ruse. Megjithatë, heqja dorë nga fitorja do të nënkuptonte ndalimin e operacioneve sulmuese.
Dhe Putin nuk do ta pranonte kurrë se është në prag të dorëzimit. Me sjelljen e tij do të tentojë të tregojë se lufta do të përshkallëzohet më vonë, se planet e tij për Ukrainën nuk kanë ndryshuar, dhe se pretendimi i tij për sukses do të burojë nga durimi i tij strategjik.
Duke përparuar, Kievi do të bëjë gjithçka që mundet për të mos i ofruar Rusisë një ngërç të përshtatshëm për të në aspektin politik. Duke pasur parasysh rreziqet e brendshme që lidhen me mobilizimin dhe tërheqjen, Putin mund të përpiqet të gjejë një rrugë të mesme.
Për Ukrainën dhe Perëndimin, ky opsion do të ishte më pak i rrezikshëm se një mobilizim i plotë, por ende një sfidë serioze për muajt dhe vitet e ardhshme. Putin mund të vazhdojë me mobilizimin e fshehtë, me sulmet ndaj popullatës ukrainase, duke goditur infrastrukturën jetike, si furnizimet me energji dhe ujë, për ta thyer vullnetin e popullsisë me afrimin e dimrit. Kjo rrugë e mesme do të kërkojë vendosmëri dhe durim nga Perëndimi.
Shënim:Liana Fix, Drejtoreshë e Programeve në Departamentin e Çështjeve Ndërkombëtare të Fondacionit Körber. Michael Kimmage, profesor i historisë në Universitetin Katolik të Amerikës.