MENU
klinika

La Liga, Java 4

Lewa sërish fantastik, Barcelona triumfon në Sevilla

03.09.2022 - 23:01

Barcelona arrin fitoren e tretë radhazi në La Liga me një Lewandowski në formë të shkëlqyer, lider absolut, që i ka dhënë tjetër forcë sulmit “Blaugrana”. Skuadra e Xavit fitoi 0-3 në fushën e Sevillas dhe blindon vendin e dytë me dy pikë më pak se Reali.

Në “Sánchez Pizjuán” u zhvillua një nga sfidat më të rëndësishme të javës së pestë në La Liga. Sfida nisi më mirë për skuadrën andaluze, që pati disa raste të pastra për shënim  në minutat e para, por golin që zhbllokoi takimin e realizuan “Blaugranat”.

Në minutën e 21–të, kundërsulm vrastar i skuadrës së Xavit me protagonistë tre sulmuesit titullarë. Dembele avancon me shpejtësi drejt qendrës, pason për Lewanddowskin, që kalon portierin me një parabolë të lehtë, por pas ndërhyrjes së një mbrojtësi Raphinha shtyn me kokë topin drejt rrjetës, 0-1.

Barcelona nuk u mjaftua me kaq, në minutën e 36-të Lewandowski, pasi kontrolloi bukur me gjoks një pasim perfekt të Konunde, goditi fluturimthi për të mos i dhënë asnjë shans portierit vendës, 0-2.

Barcelona duket e pangopur me gola. Katalanët realizuan të tretin me Eric Garcian në minutën e 50-të, duke vrarë përfundimisht shpresat e Sevillas për rezultat pozitiv.