MENU
klinika

Editoriali i The Washington Post

Putini po shkatërron vendin dhe do ta paguajë shtrenjtë!

28.09.2022 - 09:00

Si shumë të tjera në sulmin e pakuptimtë dhe të egër të presidentit rus Vladimir Putin ndaj Ukrainës, përpjekja e tij për të mobilizuar burrat rusë për të luftuar është kthyer në një debat global.

Pas muajsh të ruajtjes së qetësisë relative në lidhje me luftën mes publikut rus – përmes një kombinimi të propagandës, gënjeshtrave, censurës dhe ndëshkimit të ashpër të kritikave dhe mospajtimeve – Putin e ka thyer vetë qetësinë.

Mijëra burra rusë vrapojnë drejt kufijve.

Putin kishte shpallur një “mobilizim të pjesshëm”, duke thënë se “vetëm rezervistët ushtarakë, kryesisht ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë specialitete të veçanta ushtarake profesionale dhe përvojë përkatëse, do të shkojnë në luftë”.

Por ditët e fundit, thirrja ka përfshirë edhe burra pa shërbim paraprak ushtarak, duke përfshirë disa që janë shumë të moshuar ose fizikisht të paaftë për të shkuar në luftë.

Për më tepër, barra po bie më e rëndë mbi qytetet dhe fshatrat e vogla dhe pakicat etnike.

Protesta – dhe kaos – ka shpërthyer.

Në rajonin e Irkutskut, një i ri qëlloi shefin e rekrutimit në një stacion ushtarak. Në Omsk, një video në media sociale tregoi, se lufta shpërtheu midis burrave që refuoznin luftën dhe oficerëve të policisë duke i detyruar ata të hipnin në autobusë.

Sulmetkanë goditur zyrat e rekrutimit në 16 rajone që nga njoftimi i Putin të mërkurën e kaluar, gati dy herë më shumë incidente që kur presidenti rus nisi pushtimin në shkurt. Më shumë se 2300 persona janë arrestuar për protesta. Pothuajse të gjitha fluturimet jashtë janë rezervuar prej ditësh.

Pas trazirave është një problem edhe më i madh.

Për shumë vite, zoti Putin mbajti atë që studiuesi Masha Lipman e quajti një “pakt mospjesëmarrjeje” me një grup të madh të publikut rus: Këta njerëz ranë dakord të qëndronin jashtë politikës në këmbim që qeveria të mos ndërhynte në jetën e tyre të përditshme.

Pas fillimit të luftës, shumë rusë heshtën ose thjesht u përpoqën ta injoronin atë; protestat masive nuk shpërthyen.

Por mobilizimi kërcënon ta shkatërrojë këtë.

Sociologu Greg Yudin vëren se Putin nuk nisi një mobilizim politik përpara se të niste atë ushtarak. Ai thotë se rusët po zgjohen shpejt nga letargjia dhe po bëjnë pyetje që nuk i kishin bërë për një kohë të gjatë.

Kjo mund ta dobësojë edhe më shumë Putin. Ukraina dhe aleatët e saj duhet të vazhdojnë presionin.

Edhe një herë, gënjeshtrat dhe absurditetet e Putin humbin para së vërtetës. “Referendumet” në territorin e pushtuar janë një shkelje e demokracisë. “Operacioni special ushtarak” rezulton të jetë një luftë e gjatë dhe e dhimbshme.

Putin sulmon “neo-nazistët”, por vetë trupat e tij akuzohen për krimet më të tmerrshme të luftës.

E vërteta më e errët është se Putin – agresori, arsyeja e vetme e kësaj lufte – ka humbur dhjetëra mijëra jetë për asgjë dhe tani kërcënon të rrisë në mënyrë të frikshme këto shifra.

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza nga "Proect Syndicate"

Embargoja e naftës në Evropë, nuk mjafton!

Analiza e Project Syndicate

Formula e Putinit për Ukrainën