MENU
klinika

Analiza

Tani pushtetin nuk e ka më boshti franko-gjerman…

01.09.2022 - 09:00

Duke iu drejtuar ambasadorëve të Finlandës në Helsinki një javë më parë, Sanna Marin, kryeministrja e vendit, foli mirë për Estoninë, vendin e parë evropian që ratifikoi anëtarësimin finlandez në NATO.

Më pas ajo tha: “Gjatë dekadave të fundit, ne mund të kishim dëgjuar më shumë miqtë tanë në Balltik për çështjet që lidhen me sigurinë tonë të përbashkët dhe Rusinë.”

Kjo ishte muzika për veshët e Toomas Hendrik Ilves, i cili si president i Estonisë nga viti 2006 deri në vitin 2016, përjetoi “arrogancën shpërfillëse” të qeverive të Evropës Perëndimore kur zyrtarët e demokracive të reja të Evropës Lindore dhe Qendrore u përpoqën t’i paralajmëronin ata për objektivat e Moskës. Ajo arrogancë, thotë Ilves, “vazhdoi deri më 24 shkurt” të këtij viti, kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Tani, si rezultat i pushtimit rus, dinamika e fuqisë në BE po ndryshon.

Shtetet anëtare të pushtuara më parë nga Bashkimi Sovjetik, dhe gjeografikisht më afër Ukrainës dhe Rusisë, jo vetëm që merren më seriozisht sot – ato gjithashtu kanë më shumë ndikim sepse mosbesimi i tyre është shfajësuar nga lufta e paprovokuar e Vladimir Putinit dhe për shkak se pozicioni i tyre i bën ato strategjikisht më të rëndësishme.

Kjo zhvendosje e qendrës së gravitetit po sfidon tandemin dikur të plotfuqishëm franko-gjerman.

EM Germany versus French | Cartoon Movement

Ky trend ka qenë i dukshëm në debatin aktual mbi ndalimin e vizave për qytetarët rusë në zonën Shengen. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për këtë; Polonia, Finlanda, tre shtetet baltike dhe Republika Çeke e kanë mbështetur. Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë dhe një zë gjithnjë e më me ndikim në BE, po ashtu.

Gjermania e kundërshtoi hapur një ndalim të tillë, siç bëri edhe Josep Borrell, kryediplomati i BE-së.

Çekët, të cilët mbajnë presidencën e rradhës të BE-së, vendosën ta fusin atë në axhendën e takimit të 27 ministrave të jashtëm këtë javë në Pragë. Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, kërcënoi se do të krijonte një marrëveshje rajonale nëse një marrëveshje nuk arrihej midis 27.

Përfundimisht, Franca dhe Gjermania duhej të luftonin dhe të punonin drejt një kompromisi.

Kjo nuk është ndarja e vjetër lindje-perëndim, as Evropa e vjetër kundrejt të resë. Lufta në Ukrainë ka tronditur koalicionet ekzistuese. Afërsia e Viktor Orbanit me Kremlinin ka paralizuar grupin e Vishegradit, që përfshin Hungarinë, Poloninë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke. Polonia dhe shtetet baltike tani mund të mbështeten tek vendet nordike si Finlanda dhe Suedia.

Ndryshimi në fakt filloi para luftës në Ukrainë.

Në qershor të vitit 2021, kancelarja gjermane Angela Merkel pësoi një disfatë të madhe kur nuk arriti të bashkonte partnerët e saj evropianë, me përjashtim të Francës, në një propozim për një samit BE-Rusi me Putinin.

Këtë vit, si pasardhësi i Merkelit, Olaf Scholz, ashtu edhe presidenti francez Emmanuel Macron janë përballur me kritika të ashpra – Scholz për hezitimet e tij për dërgesat e armëve në Ukrainë, Macron për këmbënguljen e tij për telefonatat me Vladimir Putin.

Germany's presidency of EU Council sets model rapport with China - Global Times

Gjatë ditëve të fundit të dy kanë ndjerë nevojën për të riafirmuar angazhimin e tyre për të mbështetur ushtarakisht Ukrainën “për aq kohë sa duhet”, siç e tha Scholz në një fjalim në Pragë të hënën. Në të njëjtën ditë, Macron mirëpriti kryeministrin polak Mateusz Morawiecki për bisedime në Elysee.

Udhëheqja polake mund të jetë duke humbur një mundësi të artë. Me trajtimin e saj shembullor të miliona refugjatëve ukrainas, marrëdhëniet e saj të ngushta me Kievin dhe rolin e saj vendimtar si një qendër për mbështetjen ushtarake për Ukrainën, Polonia tani mund të ushtrojë ndikim të madh në BE – me kusht që të zgjidhë problemet e saj me sundimin e ligjit.

Në Pragë, Scholz bëri thirrje për një “kalim gradual” në votimin e shumicës, duke kundërshtuar drejtpërdrejt Morawieckin, ndërsa BE-ja përballet me detyrën e madhe të integrimit të anëtarëve të rinj, duke përfshirë Ukrainën, së cilës iu dha statusi i kandidatit në qershor.

Për momentin, Franca dhe Gjermania ndihen ende mjaft të forta për t’i rezistuar sfidës së Varshavës ndaj traktateve të BE-së.

Por ka një tjetër “as nën mëngë”. Fitorja për të djathtën ekstreme në zgjedhjet italiane të 25 shtatorit mund të shohë që dinamika e luhatshme e fuqisë së Evropës të zhvendoset edhe më tej.

Shkrimtari është një kolumnist në Le Monde dhe bashkëpunëtor i Akademisë Robert Bosch në Berlin

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al