Ngjarjet zhvillohen në fshatin fiktiv. Sllupkove i thonë dhe po shpopullohet. Ky vend imagjinar, dalë-ngadalë po merr një tjetër pamje. Të gjithë kanë ikur, të rinj e punëtorë. Banorët, tani mbahen veç me një punëtor, i vetmi që ka mbetur. Ai është Rexhep Nushi, të cilit i mbetet çdo punë e vështirë, apo e lehtë. Kushdo ka një hall, thërret Rexhon… Dhe Rexhoja, bëhet shpëtimtari i këtij fshati, si të braktisur nga jeta…
Është kjo ideja e regjisorit Ibër Deari, – një realitet i prekshëm për mbarë shqiptarët – me filmin e tij, titulluar “Everybody Calls Redjo”./Konica.al
“Everybody Calls Redjo” është film debutues, për regjisorin Ibër Deari, si skenarist në filmat me metrazh të gjatë, derisa së bashku me Artin Selmanin, për sa i përket pjesës së skenarit. Regjisori Deari, ka rrëfyer rrugëtimin, procesin e punës dhe të ardhmen e këtij filmi, shumë i dikutuar në rrethet artistike kosovare.
Realiteti që na rrethon, në të cilin jetojmë dhe të cilin e shohim çdo ditë, qoftë në rrugë, në lajme apo edhe nga bisedat në kafene me miq, është pika kryesore nga ku edhe ka ardhur ideja për të krijuar filmin. Personazhi kryesor, Rexho cilësohet si personi që regjisori Deari, ka pasur më së shumti nevojë, dhe të cilin ai çdo herë e ka kërkuar. Përveç Rexhos si personazh, ka pasur edhe personazhe të tjera në fokus – por, së bashku me skenaristin Selmanin, kanë vendosur që i gjithë filmi të shihet vetëm nga perspektiva e Rexhos; intervistën me regjisorin, e sjell Kultplus.
Filmi “Everybody Calls Redjo” i përket metrazhit të gjatë. Se si ka nisur ky rrugëtim për regjisorin dhe si ka shkuar deri më tani, e tregon edhe vetë ai.
“Është me të vërtetë, një rrugë shumë e gjatë. Unë me filmin merrem që në moshën e re dhe vazhdimisht jam munduar të punoj. Edhe kur nuk ka pasur buxhete, unë kam krijuar filma me vetëfinancim sepse e dua kinemanë, mirëpo për të arritur që ta realizoj një film të gjatë, më janë dashur më shumë se katër vite, vetëm përgatitje. Secili film, kudo që realizohet, i ka sfidat dhe vështirësitë e tij. Nuk ka film të lehtë. Gjithë filmat e mirë, apo filmat ku autorët mundohen për të bërë diçka të mirë, cilësohen si shumë të lodhshëm dhe të vështirë. Në rastin tim, kemi pasur probleme të zakonshme, si gjithë regjisorët e tjerë, duke nisur nga buxheti, koha e shkurtër e xhirimeve, moti që ndryshonte vazhdimisht dhe shumë probleme të tjera normale që kanë të bëjnë me autorët, gjendjen shpirtërore dhe emocionale të artistëve, por kjo është sfidë që të ndihmon të rritesh dhe të jesh më i pjekur, si artist”, – shpalos regjisori Deari.
Ndërsa, procesi i përzgjedhjes së kastës së aktorëve, konsiderohet si procesi që ka zgjatur më së shumti, në këtë film. Por, energjia ndërmjet tyre, qe pika kryesore nga e cila është jetësuar filmi dhe tani, pas shumë problemeve të hasura, regjisori Deari, ndihet i kënaqur me përzgjedhjen që është bërë.
“Kur punon me aktorë të mirë, është shumë më lehtë të realizosh një film. E unë mendoj që e pata fatin e mirë për të punuar me gjithë këta aktorë. Do i veçoj rolet kryesore pasi që ata e kanë pasur barrën më të madhe, duke nisur nga Afrim Muçaj dhe Adriana Matoshi. Pa këta të dy, vështirë që do e kisha realizuar vizionin e saktë që e kisha në kokë. Por gjithsesi, një duartrokitje e madhe shkon për aktorin e ri, Ledion Muljaku, një djalë shumë i ri e shumë i talentuar dhe besoj se kur të shikoni filmin do të bindeni në këtë që po e them. Gjithashtu jam shumë mirënjohës dhe falënderues për gjithë aktorët e tjerë që erdhën për të qenë pjesë e filmit tim”, – thotë ai.
“Everybody Calls Redjo” ka realizuar xhirimet, në gjithsej 20 ditë. I gjithë procesi ka shkuar shumë mirë dhe për sa i përket organizimit ekipor, Deari ka pohuar, se ka qenë jashtëzakonisht profesional. Por, armiku i vetëm i këtij procesi konsiderohet të jetë moti, që vazhdimisht ndryshonte, duke krijuar edhe probleme në sheshxhirim, që sipas regjisorit janë normale. Ndërkohë, në sheshxhirim ka pasur momente të ndryshme dhe interesante, por që as vetë regjisori, nuk mundet t’i veçojë, ngase janë plot.
Pa dyshim që krijimi i një filmi me metrazh të gjatë, është një ndjenjë krejtësisht tjetër. Regjisori Deari, këtë ndjenjë e përshkruan si tepër të rëndë.
“Është një emocion, tepër i rëndë. Nuk ia ndjen kënaqësinë, gjatë realizimit të filmit. Në procesin e krijimit, më shumë ke stres, ankth dhe në shumë raste edhe dilema. Më duket si një emocion tronditës, sepse merresh me realizimin e një ëndrre, por është një ëndërr që të shfaqet si një makth.”
Po ashtu, ai ka treguar edhe se çfarë ka mësuar personalisht si regjisor dhe skenarist, përgjatë këtij rrugëtimi. E kjo, për shumëkënd, del të jetë shpeshherë, ndryshe.
“Besoj se kam mësuar shumë, mjaftueshëm për ta kuptuar se të bërit një film, nuk është ashtu siç e lexon në libër, apo në shkollë e as ashtu siç e komenton dhe diskuton nëpër tavolina dhe kafene. Të bërit film është një luftë që duhet të përjetohet drejtpërdrejt, vetëm në fushëbetejë, ndërsa me njohuritë e librit dhe të shkollës, mbetesh vetëm një njohës i filmit, por jo edhe i krijimit të tij”, – thotë Deari.
Sipas tij, suksesi i filmave kosovarë është tejet i lartë, pasi që çdo vit nëpërmjet filmave, krijuesit kosovarë e dëshmojnë veten, duke shkuar në festivalet më të mira në botë. Ai shprehet se në Kosovë punohet shumë, sidomos duke marrë parasysh se regjisorët punojnë me buxhete kaq të vogla dhe që, në fund arrijnë sukses të madh.
“Në Kosovë, ka shumë konkurrencë dhe filmbërësit janë në luftë për të dëshmuar veten. Ata janë të etur, për të bërë punë të mirë. Ka shumë regjisorë guximtarë që rrezikojnë, por gjithashtu, Kosova ka edhe shumë aktorë të mirë që ia mundësojnë e ia lehtësojnë punën secilit regjisor, që ata të arrijnë të bëjnë filmat e tyre të veçantë dhe komunikues me publikun” – përfundon ai.
Në pritje të premierës, “Everybody Calls Redjo” vjen nën interpretimin e aktorëve: Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj.