MENU
klinika

"Hyrja në BE s'kalon nga Moska"

Viola von Cramon, një mesazh për Serbinë

25.09.2022 - 07:47

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pas vendimit të Serbisë për të koordinuar politikat e jashtme me ato të Rusisë. Me anë të një postimi në rrjetin e saj social Twitter, Von Cramon ka deklaruar se ky vendim është një skandal i rëndë dhe njëkohësisht ka dërguar një mesazh të qartë në Beograd se Bashkimi Evropian mundet t’i ndalojë negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE.

“Ky është një skandal i rëndë. Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunimin e ardhshëm me agresorin. Ose ndoshta është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës,”-shkruan ajo duke i ‘tërhequr veshin’ Serbisë.

Në margjinat e sesionit të 77-të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç dhe ai i Rusisë, Sergey Lavror kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme. Edhe pse aktualisht Rusia është në qendër të sanksioneve nga Perëndimi për shkak të luftës që ka nisur në Ukrainë.